“Jo në emrin tim” thotë Haxhiu për vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
“Jo në emrin tim”, ka thënë Albulena Haxhiu në një intervistë ekskluzive në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, kur moderatori Ermal Panduri e ka pyetur nëse vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ishte edhe në emrin e saj. Pyetja iu drejtua pasi gjyqtari Smith, gjatë leximit të vendimit, tha se ai jepej në emër të popullit…
Lajme
“Jo në emrin tim”, ka thënë Albulena Haxhiu në një intervistë ekskluzive në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, kur moderatori Ermal Panduri e ka pyetur nëse vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ishte edhe në emrin e saj.
Pyetja iu drejtua pasi gjyqtari Smith, gjatë leximit të vendimit, tha se ai jepej në emër të popullit të Kosovës.
Haxhiu, kryetare e Kuvendit dhe aktualisht ushtruese e detyrës së Presidentes, kujtoi se më 3 gusht 2015 ishte votuar amendamenti kushtetues për Gjykatën Speciale. Ajo tha se Vetëvendosje, pjesë e së cilës ishte edhe atëherë, e kishte kundërshtuar fuqishëm themelimin e gjykatës.
“Më kujtohet sikur sot sa shumë takime e tubime kemi pasur në lagje, fshatra dhe në mërgatë për t’u treguar qytetarëve sa e dëmshme është kjo gjykatë”, tha Haxhiu.
Ajo u shpreh se gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Drejtësisë ishte përpjekur t’i ndiqte seancat gjyqësore dhe se zhvillimet në proces i kishin rikthyer kritikat që partia e saj kishte ngritur më herët ndaj Gjykatës Speciale.
“Nuk është koha tani të flasim për atë që kemi thënë, mirëpo në emrin tim jo, natyrisht. Ne e kemi kundërshtuar edhe në Gjykatën Kushtetuese, por ajo e shpalli të papranueshme kërkesën tonë. Tani i vuajmë pasojat e vendimeve të padrejta të asaj kohe”, tha Haxhiu.
E pyetur për mbështetjen financiare të ekipeve mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së, Haxhiu tha se qeverisë i është thënë vazhdimisht se e ka ulur këtë mbështetje. Sipas saj, raporti i auditimit ka kërkuar vendosjen e një tavani dhe financimin e mbrojtjes në përputhje me ligjin, pa mundësi për mjete të pakufizuara.