“Rydox”, Ardit Kutleshi pranon fajësinë: Ambasada e ShBA-së vlerëson bashkëpunimin me Kosovën
Ardit Kutleshi, 28 vjeç, shtetas i Kosovës, ka pranuar fajësinë para drejtësisë amerikane për akuzat që ndërlidhen me krijimin dhe menaxhimin e “Rydox”, një platformë dhe treg ilegal online i përdorur nga kriminelët kibernetikë për blerjen, shitjen dhe shkëmbimin e të dhënave personale të vjedhura, si dhe pajisjeve e mjeteve për mashtrim dhe sulme kibernetike.…
Lajme
Ardit Kutleshi, 28 vjeç, shtetas i Kosovës, ka pranuar fajësinë para drejtësisë amerikane për akuzat që ndërlidhen me krijimin dhe menaxhimin e “Rydox”, një platformë dhe treg ilegal online i përdorur nga kriminelët kibernetikë për blerjen, shitjen dhe shkëmbimin e të dhënave personale të vjedhura, si dhe pajisjeve e mjeteve për mashtrim dhe sulme kibernetike.
Sipas dokumenteve të gjykatës, që nga viti 2016, përmes “Rydox” janë kryer mbi 7,600 transaksione të të dhënave të identitetit (PII), mjeteve të qasjes dhe shërbimeve të krimit kibernetik, duke gjeneruar të paktën 232 mijë dollarë të ardhura.
Sipas FBI, këto transaksione përfshinin shitjen e të dhënave të vjedhura kryesisht nga viktima brenda territorit të Shteteve të Bashkuara.
Kutleshi pranoi fajësinë në Gjykatën e Qarkut Perëndimor të Pensilvanisë për vjedhje të rëndë të identitetit dhe konspiracion për pastrim parash. Shqiptimi i dënimit ndaj tij është caktuar për më 9 shkurt 2027.
Lidhur me këtë ka shkruar sot Ambasada e ShBA-së në Prishtinë, duke lavdëruar bashkëpunimin mes institucioneve të Kosovës dhe atyre amerikane.
“Një tjetër shembull i bashkëpunimit të suksesshëm SHBA–Kosovë në luftën kundër krimit kibernetik ndërkufitar. Faleminderit Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, institucioneve të Kosovës dhe të gjithë të përfshirëve për bashkëpunimin e shkëlqyer në sjelljen e këtij rasti para drejtësisë!”, shkruan në reagimin e Ambasadës.