Prokuroria Speciale kërkon paraburgim për nëntë persona të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok

Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë personave, të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Sipas dyshimeve të paraqitura në kërkesën e Prokurorisë Speciale, personat me incialet D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R dhe D.D…

Lajme

28/09/2026 13:30

Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë personave, të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas dyshimeve të paraqitura në kërkesën e Prokurorisë Speciale, personat me incialet D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R dhe D.D dyshohen për pjesëmarrje në vrasjen dhe zhdukjen e 23 civilëve në Zubin Potok.

Kërkesa për paraburgim është paraqitur në bazë të provave dhe të dhënave të mbledhura gjatë procedurës hetimore deri në këtë fazë, transmeton lajmi.net.

“Prokuroria Speciale do të vazhdojë veprimet hetimore dhe procedurat në kuadër të kompetencave të saj ligjore, duke respektuar të drejtat e të gjithë personave të përfshirë në procedurë dhe konfidencialitetin e informacionit që nuk mund të bëhet publik në këtë fazë”,thuhet në njoftim.

Ndryshe gjatë një operacioni të zhvilluar në Zubin Potok, nëntë persona janë arrestuar nën dyshime për krime lufte kundër popullatës civile, thanë autoritetet mëngjesin e së dielës. Operacioni ndërlidhet me rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”.

Operacioni nxiti reagime të ashpra nga Lista Serbe dhe Serbia.

Në këtë rast si prova,  Prokuroria njoftoi u sekuestruan telefona mobilë, dy libreza ushtarake, një armë e gjatë dhe një pushkë gjuetie, fishekë, katër predha, para të gatshme në vlerë prej 23 mijë eurosh dhe para të gatshme në vlerë pre rreth 60 mijë dinarësh serbë (rreth 500 euro).

Operacioni, i koduar “Dosja 23” u realizua në orët e hershme të mëngjesit të 27 shtatorit në Zubin Potok, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Ai u krye nga Policia e Kosovës,me urdhër të Prokurorisë Speciale, dhe vjen pasi më 19 shtator u konfirmua, përmes analizës së ADN-së, se mbetjet mortore të tri viktimave të gjetura në varrezat masive në Zubin Potok, i përkisnin “Grupit të Intelektualëve”.

Më vonë, familjarët konfirmuan se njëri nga viktimat e identifikuara ishte Idriz Rrecaj./Lajmi.net/