Lushaku-Sadriu nuk tregon nëse do të votojnë për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale: Duhet ta analizojmë

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu njëherit shefe e Grupit Parlamentar të LDK-së, ka folur para mediave në lidhje me deklaratën që Kuvendi i Kosovës e ka miratuar sot për Dhomat e Specializuara në Hagë. Ajo ka thënë se kjo deklaratë është mbështetur nga të gjitha partitë në Kuvend. “Si LDK i kemi dhënë mbështetje kësaj…

Lajme

28/09/2026 13:36

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu njëherit shefe e Grupit Parlamentar të LDK-së, ka folur para mediave në lidhje me deklaratën që Kuvendi i Kosovës e ka miratuar sot për Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ajo ka thënë se kjo deklaratë është mbështetur nga të gjitha partitë në Kuvend.

“Si LDK i kemi dhënë mbështetje kësaj deklarate, dhe kemi shprehur vullnetin tonë në hartimin e një teksti të përbashkët që do të rezultonte me mbështetjen e të gjitha partive. Vërtetë është e rëndësishme që në momente si kjo, të tregojmë se interesat shtetërore janë mbi ato partiake. Andaj e vlerësoj shumë që të gjitha komentet janë përfshirë dhe kemi pas mirëkuptim të të gjitha partive politike për t’i dhënë mbështetje”, ka thënë Lushaku.

Ajo ka thënë se janë të vetëdijshëm se kanë përgjegjësi institucionale që ta lartësojnë kontributin e djemve dhe vajzave të UÇK-së që kanë luftuar për çlirimin e Kosovës.

“Gjithsesi, jemi të vetëdijshëm dhe dëshirojmë të kontribuojmë që Kosova të jetë i pavarur me liri dhe të respektoj parimet demokratike, të funksionojnë institucionet e pavarura për sigurimin e drejtësisë për të gjithë qytetarët e Kosovës.  Është tejet e rëndësishme që edhe ne të jemi sot në ballë të detyrës dhe të mbështesim të gjitha proceset për drejtësi”, ka thënë Lushaku-Sadriu.

Në lidhje me ndryshimin e projektligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë, ajo ka thënë se duhet t’i shohin procedimet zyrtare.

“Jemi në një situatë ku është proceduar duhet t’i shohim procedimet zyrtare dhe duhet të analizojmë secilin projektligj. Në të ardhmen do ta shihni edhe qëndrimin tonë zyrtar. Kjo deklaratë është gjithpërfshirëse, njeh kontributin e UÇK-së, bën thirrje që Dhomat e Specializuara të jenë brenda mandatit të tyre me autorizimin e Kuvendit dhe gjithsesi garanton bën thirrje për garantim të drejtësisë për të gjithë qytetarët”, ka shtuar ajo. /Lajmi.net/