Lushtaku kërkon unifikim politik rreth Gjykatës Speciale
Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka folur para fillimit të seancës së Kuvendit, duke kërkuar unifikim të spektrit politik lidhur me çështjen e Gjykatës Speciale. Lushtaku ka thënë se kjo çështje nuk duhet të lidhet me zgjedhjen e Presidentit, pasi, sipas tij, bëhet fjalë për dy procese të ndryshme. “Unë nuk do ta lidhja…
Lajme
Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka folur para fillimit të seancës së Kuvendit, duke kërkuar unifikim të spektrit politik lidhur me çështjen e Gjykatës Speciale.
Lushtaku ka thënë se kjo çështje nuk duhet të lidhet me zgjedhjen e Presidentit, pasi, sipas tij, bëhet fjalë për dy procese të ndryshme.
“Unë nuk do ta lidhja këtë pjesë me Presidentin, sepse kjo është një pjesë që kërkon unifikim. Pjesa e Presidentit është më shumë çështje e negociatave politike”, ka deklaruar Lushtaku.
Ai ka kërkuar që çështja e Dhomave të Specializuara të trajtohet në mënyrë të unifikuar nga subjektet politike, duke thënë se qytetarët po kërkojnë që politika të ketë një qëndrim të përbashkët.
“Nuk duhet të mendohet fare çështja e kërkesave edhe kushteve, nëse do ta mbështesësh qëndrimin politik apo edhe projektligjin për Dhomat e Specializuara. Në rast se ju nuk e votoni Presidentin, ne nuk i votojmë këto qëndrime”, ka thënë ai.
Lushtaku ka shtuar se qytetarët e Kosovës, përfshirë të rinjtë, gratë dhe burrat, sipas tij, po kërkojnë nga politika unifikim rreth çështjes së Dhomave të Specializuara.
“Qytetarët e Kosovës po kërkojnë një gjë, që të diskutohet edhe nga politika dhe të ketë unifikim rreth Dhomave të Specializuara. Të tregohet se ajo është një gjykatë politike dhe se asaj gjykate politike nuk mund t’i referohen në emër të popullit të Kosovës”, është shprehur deputeti i PDK-së.