Kapet në Shqipëri 38-vjeçari nga Kosova, vite më parë u dënua për falsifikim të parave në Pejë

Policia e Shtetit ka njoftuar vijimin e operacionit ndërkombëtar të koduar “The Ëanted”, në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet homologe dhe Drejtorinë e Interpolit. Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ndaluar në Tiranë dhe në Rinas, për llogari të drejtësisë italiane dhe asaj kosovare. Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, specialistët e Sektorit…

Lajme

27/09/2026 13:31

Policia e Shtetit ka njoftuar vijimin e operacionit ndërkombëtar të koduar “The Ëanted”, në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet homologe dhe Drejtorinë e Interpolit. Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ndaluar në Tiranë dhe në Rinas, për llogari të drejtësisë italiane dhe asaj kosovare.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, specialistët e Sektorit për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë arrestuar me qëllim ekstradimi në Itali shtetasin E. D., 47 vjeç, lindur në Kavajë.

Autoritetet italiane kanë lëshuar në maj të vitit 2026 një urdhër arresti ndaj tij. Ai kërkohet nga Gjykata e Bolonjës për pjesëmarrje në bashkëpunim kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Sipas autoriteteve shqiptare, dyshohet se gjatë vitit 2020, në bashkëpunim me persona të tjerë, E. D. ka organizuar dhe kryer blerjen, transportimin, importimin, magazinimin dhe mbajtjen e sasive të mëdha të lëndëve narkotike, përfshirë marijuanë, hashash dhe kokainë, të cilat dyshohet se janë trafikuar drejt Italisë me qëllim shitjen.

Ndërkohë, në Rinas është arrestuar me qëllim ekstradimi në Kosovë shtetasi kosovar H. K., 38 vjeç.

Sipas Policisë së Shtetit, H. K. është dënuar në vitin 2022 nga Gjykata e Apelit e Pejës me 1 vit e 6 muaj burgim për falsifikim të kartëmonedhave.

Autoritetet kosovare dyshojnë se gjatë vitit 2021, në bashkëpunim me persona të tjerë, ai ka tentuar të hedhë në treg në Pejë rreth 15 mijë dollarë të falsifikuar.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët në Romë dhe në Kosovë për përfundimin e procedurave ligjore dhe ekstradimin e dy shtetasve.