23 mbetje mortore në Zubin Potok, tri viktima të “Grupit të Intelektualëve” të identifikuara – Koci ngre pyetjen për Serbinë

Avokati Arianit Koci ka reaguar lidhur me zbulimin e mbetjeve mortore në Zubin Potok dhe hetimet për rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Përmes një postimi në Facebook, Koci ka thënë se në veri të Kosovës po dalin në dritë dëshmi për krime të luftës, duke iu referuar gjetjeve në tri lokacione në Zubin…

Lajme

27/09/2026 12:15

Avokati Arianit Koci ka reaguar lidhur me zbulimin e mbetjeve mortore në Zubin Potok dhe hetimet për rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”.

Përmes një postimi në Facebook, Koci ka thënë se në veri të Kosovës po dalin në dritë dëshmi për krime të luftës, duke iu referuar gjetjeve në tri lokacione në Zubin Potok, ku janë zbuluar mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave.

Ai ka shkruar se dyshohet që këto mbetje mund t’u përkasin 23 shqiptarëve të rrëmbyer më 19 prill 1999, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Tre nga viktimat tashmë janë identifikuar përmes analizave të ADN-së dhe janë konfirmuar se i përkasin këtij grupi.

Koci ka vlerësuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për hetimin e rastit dhe ka përmendur edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

“Një meritë duhet t’ia njohim Albin Kurtit: nuk u tërhoq përballë presionit”, ka shkruar Koci.

Në fund të postimit, ai ka ngritur një pyetje lidhur me pretendimet për interesimin e Serbisë për veriun e Kosovës.

“E tash, pyetja është: A ka lidhje insistimi i Serbisë për veriun edhe me fshehjen e krimeve të luftës?”, ka shkruar Koci.

Ndërkohë, autoritetet e Kosovës kanë zhvilluar hetime dhe gërmime në disa lokacione në Zubin Potok, ndërsa për rastin janë ndërmarrë edhe veprime penale ndaj personave të dyshuar për krime lufte. /Lajmi.net/