Të shtëna me armë zjarri në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, tre persona të lënduar

Tre persona kanë mbetur të lënduar në orët e hershme të mëngjesit në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, pas një incidenti ku dyshohet se janë përdorur armë zjarri dhe një mjet i mprehtë. Rasti është raportuar në Polici rreth orës 05:00, pas informatave për të shtëna me armë. Njësitet policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë dalë në vendin…

Lajme

26/09/2026 11:20

Tre persona kanë mbetur të lënduar në orët e hershme të mëngjesit në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, pas një incidenti ku dyshohet se janë përdorur armë zjarri dhe një mjet i mprehtë.

Rasti është raportuar në Polici rreth orës 05:00, pas informatave për të shtëna me armë. Njësitet policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, transmeton lajmi.net.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se, sipas informacioneve fillestare, dy nga personat e lënduar dyshohet se janë plagosur me armë zjarri, ndërsa i treti është lënduar me mjet të mprehtë.

“Sot, rreth orës 05:00, Policia ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në magjistralen Prishtinë–Ferizaj. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast janë lënduar tre persona, dy prej të cilëve dyshohet se janë plagosur nga arma e zjarrit, ndërsa një person dyshohet se është lënduar nga një mjet i mprehtë. Të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor”, ka deklaruar Pllana për Lajmi.net.

Ai ka bërë të ditur se hetimet për rastin janë duke vazhduar në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit.

“Njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e mëtejme hetimore”, ka thënë Pllana.

Autoritetet po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe motivit të incidentit./lajmi.net/