Nga 1000 euro borxh në 8000 euro kthim: Kërkohet paraburgim për dy të dyshuarit për fajde në Rahovec

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të pandehurve, S.S. dhe J.N., të dyshuar për fajde, ndërsa ndaj S.S. rëndon edhe dyshimi për mbajtje të paautorizuar të armëve. Sipas Prokurorisë, dy të pandehurit dyshohet se nga gushti i këtij viti, në bashkëkryerje, i kanë dhënë një…

Lajme

25/09/2026 14:53

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të pandehurve, S.S. dhe J.N., të dyshuar për fajde, ndërsa ndaj S.S. rëndon edhe dyshimi për mbajtje të paautorizuar të armëve.

Sipas Prokurorisë, dy të pandehurit dyshohet se nga gushti i këtij viti, në bashkëkryerje, i kanë dhënë një personi 1 mijë euro borxh, duke i kërkuar fillimisht që të kthente 3 mijë euro, më pas 5 mijë dhe në fund 8 mijë euro.

I dëmtuari E.A. dyshohet se është kërcënuar se, nëse nuk i kthente paratë, do të duhej të jepte veturën e familjes.

Më 24 shtator, kur E.A. ishte takuar me S.S. për t’ia dorëzuar shumën prej 8 mijë eurosh, sipas Prokurorisë, aty ishte paraqitur edhe J.N. Ky i fundit dyshohet se i kishte thënë të dëmtuarit se 500 euro nga borxhi i marrë ishin të tij dhe se, për shkak të rritjes së kamatës, duhej të paguante gjithsej 8 mijë euro.

Pas dorëzimit të parave, në kuadër të veprimeve të koordinuara hetimore me Policinë e Kosovës, të dyshuarit janë arrestuar me paratë e pranuara nga i dëmtuari.

Prokuroria dyshon se S.S. dhe J.N. në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja”.

Ndërkohë, gjatë kontrollit në shtëpinë e S.S., janë gjetur dhe sekuestruar nëntë fishekë të kalibrit 7.62×39 mm, për të cilët dyshohet se nuk kishte leje valide. Për këtë, ai dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Të dyshuarit ndodhen në ndalim prej 48 orësh, ndërsa Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec, caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh.