Nisma për ndryshimin e ligjit të Speciales është dërguar për mendim në Qeveri

Arian Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tha se nisma e partisë së tij për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është dërguar për mendim në Qeverinë e Kosovës. Ndërkaq, javën e ardhshme, Kuvendi do të dalë me një deklaratë të përbashkët për vendimin dënues ndaj katërshes…

Lajme

25/09/2026 13:23

Arian Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tha se nisma e partisë së tij për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është dërguar për mendim në Qeverinë e Kosovës. Ndërkaq, javën e ardhshme, Kuvendi do të dalë me një deklaratë të përbashkët për vendimin dënues ndaj katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“[Kryetarja e Kuvendit, Albulena] Haxhiu u zotua se personalisht ajo do të angazhohet dhe do të komunikojë me Kurtin që të trajtohet me urgjencën e nevojshme”, tha ai pas mbledhjes së parë të Kryesisë së Kuvendit të legjislaturës së 11-të.

Sipas tij, Haxhiu është zotuar se do të flasë sot me kryeministrin Albin Kurtin, duke shtuar se me procedura të përshpejtuara mundet që projektligji të hidhet në votim të hënën apo të martën e javës tjetër.

“Rrethanat që janë dhe jemi kërkohet përgjegjësi kombëtare, politike dhe karshi kësaj, ne jemi duke thirrur në unitet kombëtar dhe politik”, tha Tahiri.

Tahiri tha po ashtu se gjatë seancës të së hënës, Kuvendi, po ashtu do të dalë me deklaratë të përbashkët lidhur me vendimin e 16 shtatorit, kur katër ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) u shpallën fajtorë për krime lufte.