24 tonë mish viçi nga Brazili i skaduar për “Apetit” bllokohen në Tivar, ngarkesa ishte nisur drejt Kosovës

Autoritetet e Malit të Zi kanë ndaluar të enjten në Portin e Tivarit një ngarkesë prej 24 tonësh mish viçi të ngrirë, të importuar nga Brazili dhe me destinacion një kompani në Kosovë. Sipas gazetës malazeze Vijesti, ngarkesa ishte nisur drejt Kosovës, por gjatë kontrollit në port është konstatuar se mishi kishte kaluar afatin e…

Lajme

25/09/2026 11:36

Autoritetet e Malit të Zi kanë ndaluar të enjten në Portin e Tivarit një ngarkesë prej 24 tonësh mish viçi të ngrirë, të importuar nga Brazili dhe me destinacion një kompani në Kosovë.

Sipas gazetës malazeze Vijesti, ngarkesa ishte nisur drejt Kosovës, por gjatë kontrollit në port është konstatuar se mishi kishte kaluar afatin e përdorimit.

Administrata Doganore e Malit të Zi njoftoi se më 24 shtator 2026 është kontrolluar një kontejner që përmbante 1,321 paketa me mish viçi të ngrirë, me peshë bruto prej 24,650 kilogramësh.

“Gjatë kontrollit është konstatuar se afati i përdorimit të mishit kishte skaduar më 14.05.2026”, thuhet në njoftimin e Administratës Doganore.

Ngarkesa ishte e destinuar për kompaninë kosovare “Apetit SHPK”, me seli në Obiliq.

Edhe 77 tonë mish ishin ndaluar më herët

Ky nuk është rasti i vetëm i evidentuar nga autoritetet malazeze. Rreth një javë më parë, në Portin e Tivarit ishin ndaluar edhe tre kontejnerë të tjerë me mish viçi, me peshë të përgjithshme prej rreth 77 tonësh.

Në atë rast, sipas Administratës Doganore, gjatë kontrollit ishte konstatuar se deklaratat origjinale, në të cilat figuroi afati i skaduar i përdorimit, ishin larguar dhe zëvendësuar me deklarata të reja ku ishte shënuar një afat tjetër.

Mishi i përfshirë në këta tre kontejnerë pritet të asgjësohet pasi të përfundojnë procedurat ligjore.

Për rastet është informuar edhe Organizata Botërore e Doganave, me qëllim që administratat doganore të vendeve të tjera të kenë informacion për tentativat e mundshme për shpërndarjen e këtij mishi.

Në të dyja rastet, autoritetet malazeze kanë ndaluar tranzitin e gjithsej 102,491.03 kilogramëve, apo gati 103 tonë mish viçi.

Kompania “Apetit SHPK”, me seli në Obiliq, është një nga kompanitë që operojnë në tregun kosovar të prodhimit dhe përpunimit të produkteve të mishit./Lajmi.net/