Ambasada e SHBA-së me mesazh: Presim të punojmë me qeverinë dhe kuvendin për paqen dhe stabilitetin rajonal

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dalë sot me një mesazh teksa po afrohet edhe 6 tetori, afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri, hap ky që do të shmangte edhe zgjedhjet e reja. Në njoftim të publikuar sot në mëngjes, Ambasada e SHBA-së potencon se mezi pret të punojë me…

Lajme

25/09/2026 11:15

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dalë sot me një mesazh teksa po afrohet edhe 6 tetori, afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri, hap ky që do të shmangte edhe zgjedhjet e reja.

Në njoftim të publikuar sot në mëngjes, Ambasada e SHBA-së potencon se mezi pret të punojë me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës për të avancuar prioritetet e përbashkëta, përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe përparimin e përbashkët.

“Ambasada e SHBA-së pret me kënaqësi të bashkëpunojë me qeverinë dhe kuvendin për të çuar përpara prioritetet e përbashkëta, përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe prosperitetin e ndërsjellë”, thuhet në mesazh.

Ky reagim i ambasadës amerikane vie pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese njoftoi mbi aktgjykimin në lidhje me lëndët që PDK-ja veçse i kishte dorëzuar ditë më parë në lidhje me kushtetutshmërinë e Kuvendit dhe të Qeverisë.

Kushtetuesja edhe pse me aktgjykim thuajse pak të ndërlikuar tha se Kuvendi është konstituuar, por se PDK-ja duhet zgjedhur nënkryetarin.

Gjithashtu u tha se kuvendi u konstituuar, por me 30 ditë vonesë.

Sipas Kushtetueses ndërkohë zgjedhja e Qeverisë u bë në përputhje me Kushtetutën, por u kërkua që të respektohet afati për zgjedhjen e presidentit deri më 6 tetor.

Çështja e presidentit

Çështja e presidentit ka qenë temë kyç tash e një kohë në Kosovë, pasi për shkak të moskonsensusit për zgjedhjen e një kreu të ri të shtetit u mbajtën edhe votimet e qershorit.

Që nga 4 prilli, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit. Ky funksion, sipas Kushtetutës, nuk mund të ushtrohet më shumë se gjashtë muaj.

Pas rundesh të bisedimeve mes LVV-së të Albin Kurtit dhe LDK-së së Lumir Abdixhikut, palët arritën një marrëveshje në fund të gushtit për një president konsensual, dhe dy partitë propozuan për postin e presidentit Bekim Sejdiun.

Por, një ditë pas njoftimit për marrëveshjen u bë e ditur se gjashtë deputetë të LDK-së nuk e përkrahnin këtë kandidaturë – duke bërë që, në praktikë, Sejdiu të mos kishte 81 votat e nevojshme – dy të tretat e Kuvendit me 120 ulëse, që kërkohen për procesin e zgjedhjes së presidentit.

Pavarësisht kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së, Kurti insistoi se marrëveshja ende qëndronte.

Megjithatë, më 14 shtator Sejdiu njoftoi se tërhiqet nga kandidatura për president për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme për zgjedhjen e tij.

Kosova rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të reja – që do të ishin të katërtat që nga shkurti i vitit 2025 – nëse partitë nuk gjejnë ujdi që ta zgjedhin kreun e ri të shtetit deri më 6 tetor, afatin e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese./Lajmi.net/