28 vjeçari nga Kosova rrezikon 20 vjet burg për krime kibernetike, FBI njofton se si kreu mijëra transaksione me të paktën mbi 230 mijë dollarë
28 vjeçari, Ardit Kutleshi, ka pranuar fajësinë para drejtësisë së Amerikës, në lidhje me akuzat për krijimin dhe menaxhimin e “Rydox”, një platforme dhe treg ilegal për përdorim nga kriminelët kibernetikë për blerjen, shitjen edhe shkëmbimin e të dhënave personale të vjedhura si dhe pajisjeve të mjeteve për mashtrim dhe sulme kibernetike. Sipas dokumenteve të…
Lajme
28 vjeçari, Ardit Kutleshi, ka pranuar fajësinë para drejtësisë së Amerikës, në lidhje me akuzat për krijimin dhe menaxhimin e “Rydox”, një platforme dhe treg ilegal për përdorim nga kriminelët kibernetikë për blerjen, shitjen edhe shkëmbimin e të dhënave personale të vjedhura si dhe pajisjeve të mjeteve për mashtrim dhe sulme kibernetike.
Sipas dokumenteve të gjykatës, që nga viti 2016, përmes “Rydox” janë kryer mbi 7,600 transaksione të të dhënave të identitetit (PII), mjeteve të qasjes dhe shërbimeve të krimit kibernetik, duke gjeneruar të paktën 232 mijë dollarë të ardhura.
FBI ka njoftuar se këto transaksione përfshinin shitjen e të dhënave të vjedhura kryesisht nga viktima brenda territorit të Shteteve të Bashkuara. 28 vjeçari nga Kosova, pranoi fajësinë për vjedhje të rëndë të identitetit dhe konspiracion për pastrim parash.
Shqiptimi i dënimit ndaj tij është caktuar për 9 shkurt 2027.
Në lidhje me rastin e shtetasit të Kosovës u raportua një vit më parë në klankosova, ku njoftohej se dy vëllezërit Kutleshi ishin ekstraduar si të akuzuar për mashtrim të amerikanëve.
Ai përballet me një dënim minimal të detyrueshëm prej 2 vitesh burgim për vjedhjen e identitetit dhe me një dënim maksimal deri në 20 vjet burgim për akuzën e pastrimit të parave.
Ndihmësprokurori i Përgjithshëm i Divizionit Penal të Departamentit të Drejtësisë, A. Tysen Duva, theksoi se pranimi i fajësisë nga Kutleshi nxjerr në dritë një skemë të sofistikuar për të përfituar nga identitetet e vjedhura.
“Ky pranim i fajësisë u dërgon një mesazh të qartë të gjithë kriminelëve kibernetikë: Departamenti i Drejtësisë do t’i identifikojë, arrestojë dhe ndjekë penalisht ata, kudo që ndodhen në botë, përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe teknologjisë më të përparuar,” tha Duva.
Nga ana tjetër, prokurori amerikan Troy Rivetti vuri në dukje se në këtë aktivitet ishte i përfshirë edhe vëllai i të pandehurit:
“Kriminelët kibernetikë Ardit Kutleshi dhe vëllai i tij Jetmiri — i cili po ashtu pranoi fajësinë dhe u dënua në dhjetor të vitit 2025 përpara se të deportohej në Kosovë — e menaxhuan platformën ‘Rydox’ për përfitime personale, duke fituar qindra mijëra dollarë nga shitja e veglave për krime online. Këto vepra shkaktojnë humbje financiare dhe dëm psikologjik te viktimat,” deklaroi Rivetti.
Ndërsa ndihmësdrejtori i Divizionit Kibernetik të FBI-së, Brett Leatherman, nënvizoi se “Rydox” tregtonte të dhëna sensitive dhe qasje në llogaritë e mijëra qytetarëve, duke shtuar se FBI mbylli faqen dhe ekstradoi personin përgjegjës.
Ardit Kutleshi ishte arrestuar në Kosovë në dhjetor të vitit 2024 në vitin 2025 u ekstradua për në Amerikë. Po në dhjetor të vitit 2024, autoritetet amerikane sekuestruan ligjërisht domenin www.Rydox.cc, duke ndërprerë tërësisht funksionimin e këtij rrjeti.
Hetimi i gjerë ndërkombëtar u udhëhoq nga Zyra e FBI-së në Pittsburgh, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike të Policisë së Kosovës, Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion të Shqipërisë (SPAK), Departamentin e Hetimit të Krimeve Ekonomike të Policisë Mbretërore të Malajzisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme të Malajzisë.
Rasti po ndiqet penalisht nga Këshilltari i Lartë Thomas Dougherty nga Seksioni i Krimeve Kompjuterike dhe Pronësisë Intelektuale (CCIPS) dhe Ndihmësprokurorja Nicole Stockey në Pensilvani, me mbështetjen e Zyrës së Çështjeve Ndërkombëtare të Departamentit të Drejtësisë./Lajmi.net/