Ymeri kritikon Qeverinë: Po paguajmë çmime pa kontroll, për terapitë shëndetësore as që bëhet fjalë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mënyrën se si, sipas saj, po funksionojnë mekanizmat e kontrollit të çmimeve dhe furnizimit me produkte bazë e terapi shëndetësore. Përmes një postimi, Ymeri ka thënë se, përveç Doganës, përmes së cilës mblidhen të hyrat nga importi, në Kosovë mungojnë…
Lajme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mënyrën se si, sipas saj, po funksionojnë mekanizmat e kontrollit të çmimeve dhe furnizimit me produkte bazë e terapi shëndetësore.
Përmes një postimi, Ymeri ka thënë se, përveç Doganës, përmes së cilës mblidhen të hyrat nga importi, në Kosovë mungojnë mekanizmat e kontrollit të çmimeve për produkte si nafta, energjia elektrike dhe gruri.
“Paguajmë aq sa shkruhet në import nga kushdo që shkruhet”, ka deklaruar Ymeri.
Ajo ka kritikuar edhe arsyetimet për funksionimin e tregut të lirë, duke pretenduar se Autoriteti i Konkurrencës nuk është funksional në nivelin e nevojshëm.
“Mos u arsyetoni në dokrrat e Tregut të Lirë kur si parti nuk keni funksional as Autoritetin e Konkurrencës”, ka shkruar deputetja e LDK-së.
Ymeri ka ngritur shqetësime edhe për furnizimin me terapi shëndetësore.
“Për terapitë shëndetësore as që bëhet fjalë: nuk ka as sasi të mjaftueshme”, ka thënë ajo.
Në fund, Ymeri ka pyetur se çfarë po qeveris, sipas saj, Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Këtu shtrohet pyetja: çfarë po qeveris në të vërtetë Qeveria VV? VARFËRINË pra”, ka shkruar Ymeri.
Ajo ka pretenduar se institucionet kanë mbajtur të hapur kryesisht “derën e Doganës”, përmes mbledhjes së të hyrave nga importi, si dhe kontrollet tatimore nga Administrata Tatimore e Kosovës. /Lajmi.net/