Ushtrim simulues për evakuim dhe reagim në rast zjarri në një shkollë në Ferizaj

Në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Tefik Çanga” në Ferizaj është zhvilluar një ushtrim simulues për evakuim dhe reagim në rast zjarri. Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, ushtrimi është realizuar më 23 shtator nga Stacioni Policor në Ferizaj, në bashkëpunim me Brigadën e Zjarrfikësve dhe institucionet tjera përgjegjëse. Qëllimi i aktivitetit ishte ngritja…

Lajme

24/09/2026 11:26

Në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Tefik Çanga” në Ferizaj është zhvilluar një ushtrim simulues për evakuim dhe reagim në rast zjarri.

Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, ushtrimi është realizuar më 23 shtator nga Stacioni Policor në Ferizaj, në bashkëpunim me Brigadën e Zjarrfikësve dhe institucionet tjera përgjegjëse.

Qëllimi i aktivitetit ishte ngritja e nivelit të sigurisë, vetëdijesimi i nxënësve dhe stafit të shkollës, si dhe forcimi i gatishmërisë dhe koordinimit institucional për reagim të shpejtë në situata emergjente.

Në ushtrim morën pjesë nxënësit e klasave të teta, drejtoria dhe stafi i shkollës, mësimdhënësit, stafi teknik, si dhe ekipet e institucioneve emergjente.

Në aktivitet u përfshinë Policia e Ferizajt, Brigada e Zjarrfikësve, ekipet e urgjencës mjekësore, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Kryqi i Kuq, Drejtoria e Arsimit dhe institucione të tjera relevante.

Policia Rajonale e Ferizajt ka vlerësuar rëndësinë e ushtrimeve të tilla, duke theksuar se ato kontribuojnë në rritjen e sigurisë në institucionet arsimore dhe në përgatitjen e nxënësve dhe stafit për reagim të koordinuar në raste emergjente.

“Siguria e nxënësve është përgjegjësi e përbashkët, ndërsa bashkëpunimi institucional dhe përgatitja paraprake janë thelbësore për një reagim sa më të shpejtë dhe profesional në çdo situatë emergjente”, thuhet në njoftim.