Behrami kritikon ashpër BE-në pas takimit Von der Leyen-Vuçiq: Është koha ta ndryshojmë Ligjin për Specialen
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian për qasjen ndaj Serbisë dhe Kosovës, pas takimit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Përmes një postimi në Facebook, Behrami ka akuzuar BE-në për “dyfytyrësi”, duke e lidhur takimin me qëndrimet e fundit të Serbisë ndaj Ratko…
Lajme
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian për qasjen ndaj Serbisë dhe Kosovës, pas takimit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Përmes një postimi në Facebook, Behrami ka akuzuar BE-në për “dyfytyrësi”, duke e lidhur takimin me qëndrimet e fundit të Serbisë ndaj Ratko Mlladiqit.
“Dyfytyrësia e BE-së. Von der Leyen dje e takoi Vuçiqin, vetëm pak ditë pasi ai dhe Serbia glorifikuan kriminelin Ratko Mlladiq”, ka shkruar Behrami.
Ai ka përmendur edhe rastin e Milan Radoiçiqit, duke pretenduar se Serbia vazhdon ta strehojë atë, ndërsa BE-ja, sipas tij, nuk po reagon në mënyrë të mjaftueshme.
Reagimin e tij, Behrami e ka lidhur edhe me përvjetorin e vrasjes së policit Afrim Bunjaku dhe sulmit të armatosur në Banjskë.
“Në përvjetorin e vrasjes së Afrim Bunjakut dhe sulmit terrorist të Serbisë në Kosovë, BE-ja, përmes Gjykatës Speciale, po i amniston kriminelët serbë, ndërsa heronjve tanë po ua mvesh krime të paqena”, ka shkruar ai.
Behrami ka kritikuar edhe Dhomat e Specializuara, duke thënë se ato janë “100% të varura nga BE-ja dhe 100% të pavarura nga Kosova”.
Në fund, deputeti i PDK-së u ka bërë thirrje kolegëve të tij në Kuvend që të ndërmarrin ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Andaj, është koha e fundit ta ndryshojmë Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe ta pavarësojmë këtë gjykatë”, ka përfunduar Behrami. /Lajmi.net/