Abdixhiku: Afrim Bunjaku simbol i shtetit- ai nuk u tërhoq, por dha jetën duke mbrojtur Kosovën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar Heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në krye të detyrës në Banjskë. Abdixhiku ka vlerësuar lart sakrificën e Bunjakut, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë përballjes me grupin e armatosur serb që sulmoi Policinë e Kosovës në…

Lajme

24/09/2026 09:48

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar Heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në krye të detyrës në Banjskë.

Abdixhiku ka vlerësuar lart sakrificën e Bunjakut, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë përballjes me grupin e armatosur serb që sulmoi Policinë e Kosovës në veri të vendit.

“Afrimi nuk u tërhoq. Nuk u dorëzua. Ai qëndroi aty ku e kërkonte detyra dhe aty ku mbrohej Republika”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku deklaroi se Bunjaku dha jetën duke mbrojtur shtetin, qytetarët dhe sovranitetin e Kosovës.

Abdixhiku e ka cilësuar Bunjakun si simbol të institucioneve të Kosovës dhe të policëve që, sipas tij, nuk përkulen përballë dhunës.

“Sot, emri i Afrim Bunjakut është më shumë se një emër i skalitur në historinë e Policisë së Kosovës. Ai është simbol i shtetit që mbron qytetarët e vet, i institucioneve që nuk përkulen para dhunës dhe i një Kosove që nuk frikësohet nga askush”, thuhet në mesazhin e tij.

Kreu i LDK-së ka theksuar gjithashtu se përgjegjësia për sulmin e Banjskës duhet të shkojë përtej autorëve të drejtpërdrejtë.

“Përgjegjësia për këtë akt kriminal i takon jo vetëm autorëve të drejtpërdrejtë, por edhe atyre që e ideuan dhe e nxitën, e të cilët duhet të mbahen përgjegjës para drejtësisë”, ka deklaruar Abdixhiku.