Gjini pret në takim një delegacion nga Franca: Kemi nevojë për mbështetjen e tyre, si partner i fuqishëm në rrugëtimin tonë shtetndërtues

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka njoftuar se e kanë pritur në zyrë një delegacion të lartë shtetëror dhe diplomatik nga Franca. Ai ka thënë se ishte mundësi e çmuar t’i urojnë mirëseardhje në misionin e tij të ri Ambasadorit të sapoemëruar francez në Kosovë, Sh.T. Jean-François Huchet, si dhe për të bashkëbiseduar me Senatorët…

Lajme

21/09/2026 15:51

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka njoftuar se e kanë pritur në zyrë një delegacion të lartë shtetëror dhe diplomatik nga Franca.

Ai ka thënë se ishte mundësi e çmuar t’i urojnë mirëseardhje në misionin e tij të ri Ambasadorit të sapoemëruar francez në Kosovë, Sh.T. Jean-François Huchet, si dhe për të bashkëbiseduar me Senatorët e nderuar të Senatit Francez të kryesuar nga Marta de Cidrac, Laurence Harribey, Alain Milon dhe Arnaud Bazin.

“Në këtë bashkëbisedim ritheksova qëndrimin tonë, përballë sfidave të kohës dhe proceseve historike nëpër të cilat po kalon populli ynë, bashkëpunimi dhe koordinimi me aleatët tanë strategjikë është i domosdoshëm. Gjatë takimit diskutuam gjerësisht për mbështetjen që Franca mund të ofrojë në proceset integruese të Kosovës, në veçanti anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe për vizionin e Aleancës për një shtet të zhvilluar e të integruar plotësisht në familjen evropiane. Kosova ka nevojë për mbështetjen e Francës, si partner i fuqishëm dhe i pazëvendësueshëm në rrugëtimin tonë shtetndërtues”, ka shkruar Gjini. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: