Kurti viziton shkollën në Bronx ku mësohet shqip: Gjuha jonë të ruhet brez pas brezi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar shkollën publike amerikane P.S. 108 Philip J. Abinanti në Bronx të New Yorkut, ku për të dytin vit akademik po zhvillohet mësimi në dy gjuhë, anglisht dhe shqip. Kurti ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se programi akademik dygjuhësh anglisht-shqip ka nisur të aplikohet për…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar shkollën publike amerikane P.S. 108 Philip J. Abinanti në Bronx të New Yorkut, ku për të dytin vit akademik po zhvillohet mësimi në dy gjuhë, anglisht dhe shqip.
Kurti ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se programi akademik dygjuhësh anglisht-shqip ka nisur të aplikohet për herë të parë në këtë shkollë në shtator të vitit të kaluar.
Ai e ka cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme të komunitetit shqiptaro-amerikan.
“Kënaqësi e jashtëzakonshme të vizitoj shkollën publike amerikane P.S. 108 Philip J. Abinanti në Bronx, në të cilën nga shtatori i vitit të kaluar, për herë të parë, ka nisur aplikimi i programit akademik dygjuhësh anglisht-shqip”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, kjo nismë duhet të zgjerohet edhe në komunitete të tjera shqiptare në mërgatë, në mënyrë që gjuha shqipe të ruhet dhe kultivohet ndër breza.
“Një arritje e rëndësishme e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe një shembull suksesi që duhet ndjekur e zgjeruar gjithandej, ashtu që gjuha shqipe, si themel i identitetit tonë, të ruhet e kultivohet brez pas brezi kudo në mërgatë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se për fëmijët shqiptarë në diasporë, mësimi i gjuhës shqipe tashmë nuk mbetet vetëm një detyrë që bëhet në shtëpi, por zhvillohet edhe në klasë.
“Tash përveçse detyrë shtëpie, mësimi në gjuhën amë të prindërve është edhe punë në fletoret në klasë”, ka shkruar Kurti.
Në postimin e tij, Kurti ka folur edhe për historinë e ruajtjes së gjuhës shqipe, duke përmendur arbëreshët e Italisë dhe përpjekjet e Rilindësve për ta bërë shqipen gjuhë të dijes, kulturës dhe mendimit.
“Por rilindësve tanë nuk u mjaftonte që shqipja vetëm të mbijetonte. Ata donin që ajo të ishte edhe gjuhë e dijes, e kulturës dhe e mendimit të lartë”, ka shkruar ai.
Kurti ka përmendur edhe Kongresin e Manastirit të vitit 1908, si dhe veprimtarinë e Fan Nolit në Shtetet e Bashkuara.
“Noli dhe rilindësit tanë në mërgim kuptuan se pa ruajtur gjuhën, diturinë dhe kulturën, nuk mund të ruhet as kombi. Ata na treguan se diaspora nuk është thjesht një strehë larg atdheut, por një motor i mendimit, i emancipimit dhe i shtetformimit tonë”, ka shkruar Kurti.
Gjatë vizitës, Kurti ka shpërndarë abetare, fletore pune dhe libra leximi për nxënësit.
“Abetarja, fletorja e punës dhe libër leximi që ua shpërndava nxënësve nuk do të jenë fundi, Qeveria jonë përherë do të mbështesë iniciativa të tilla për mësim në gjuhën shqipe në mërgatë”, ka shkruar ai.
Kurti ka falënderuar Mark Gjonajn dhe Drita Gjongecajn për nismën, si dhe drejtoren e shkollës, Stefania Cedrola Mustafa, ndërsa nxënësve u ka uruar mësim të mbarë.