Avokati Misetic reagon për rastin e Behajdin Allaqit: Provat mbi të cilat u bazua vendimi u mbajtën të fshehura – Thaçi do ta mirëpriste shqyrtimin publik të këtyre provave

Pas vendimit të fundit të Trupit Gjykues, mbrojtja e Hashim Thaçit ka vendosur që ta dërgojë çështjen në shkallën e dytë. Avokati kroat, Luka Misetic, ka bërë të ditur se vendimi do të apelohet për shkak të gabimeve të rënda procedurale, ligjore dhe në vlerësimin e fakteve, të cilat sipas tij kanë dëmtuar drejtësinë e…

Lajme

17/09/2026 18:11

Pas vendimit të fundit të Trupit Gjykues, mbrojtja e Hashim Thaçit ka vendosur që ta dërgojë çështjen në shkallën e dytë. Avokati kroat, Luka Misetic, ka bërë të ditur se vendimi do të apelohet për shkak të gabimeve të rënda procedurale, ligjore dhe në vlerësimin e fakteve, të cilat sipas tij kanë dëmtuar drejtësinë e procesit.

Në fokus të reagimit të mbrojtjes është çështja e vrasjes së Behajdin Allaqit. Misetic ka kritikuar ashpër faktin se trupi gjykues e ka lidhur Thaçin me këtë ngjarje dhe e ka shpallur fajtor publikisht, ndërkohë që më parë kishte kërkuar që palët të mos e diskutonin këtë temë në seanca publike dhe që provat të mbaheshin të fshehta, transmeton lajmi.net.

“Trupi Gjykues e ka shpallur publikisht z. Thaçi fajtor për një vrasje, ndërkohë që provat mbi të cilat është bazuar ky përfundim i janë mbajtur të fshehura shqyrtimit publik. Z. Thaçi do ta mirëpriste shqyrtimin publik të këtyre provave,” theksoi avokati.

Sipas mbrojtjes, gjetjet e gjykatës për fajësinë nuk mbështeten në prova të mjaftueshme dhe të verifikuara. Për më tepër, Misetic ka ngritur dyshime të forta mbi paanshmërinë e gjykatës, duke përmendur ndërhyrjet e shpeshta dhe pyetjet e drejtpërdrejta nga ana e trupit gjykues gjatë gjykimit.

“Gjatë gjithë gjykimit, Mbrojtja ka ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, përfshirë shtrirjen e gjerë të pyetjeve të bëra drejtpërdrejt nga anëtarët e Trupit Gjykues, në një mënyrë që nuk krijonte përshtypjen e paanshmërisë. Mbrojtja mban qëndrimin se ndërhyrjet gjyqësore e kanë tejkaluar kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës,” u shpreh ai.

Duke mohuar çdo lidhje të mundshme të klientit të tij me këtë vrasje, avokati ka njoftuar se hapi i radhës do të jetë dorëzimi zyrtar i njoftimit për apel pranë Panelit të Apelit.

“Mbrojtja do t’i apelojë vendimet e Trupit Gjykues për shkelje të të drejtave të tij themelore për një gjykim të drejtë, të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta e Kosovës. Z. Thaçi e mohon shprehimisht çdo përfshirje në vrasje,” shtoi Misetic, duke përfunduar se respektimi i standardeve procedurale është kyç për besimin publik te drejtësia ndërkombëtare./lajmi.net/