Dhomat e Specializuara: Masat ndaj pasurive, në përputhje me ligjin

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë deklaruar se çdo masë lidhur me pasuritë gjatë procedurave gjyqësore duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe rregullat. Michael Doyle, Koordinator për Marrëdhëniet me Publikun dhe Zëdhënës i Dhomave të Specializuara, tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë dokumenti publik që adresonte pyetjet e parashtruara.…

Lajme

15/09/2026 14:20

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë deklaruar se çdo masë lidhur me pasuritë gjatë procedurave gjyqësore duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe rregullat.

Michael Doyle, Koordinator për Marrëdhëniet me Publikun dhe Zëdhënës i Dhomave të Specializuara, tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë dokumenti publik që adresonte pyetjet e parashtruara.

Televizioni publik i ka kërkuar gjykatës sqarime nëse Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar masa për ngrirjen ose ruajtjen e përkohshme të pasurive të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në kërkesën e saj, RTK-ja kërkoi të dinte nëse masat e përkohshme ndaj pasurive mund të urdhërohen para shpalljes së aktgjykimit përfundimtar, cilat janë kushtet ligjore për vendosjen e tyre dhe cili është roli i gjyqtarit apo trupit gjykues në shqyrtimin e kërkesave të Prokurorisë.

Doyle theksoi se ligji dhe rregullat parashikojnë mundësinë e marrjes së masave të caktuara ndaj pasurive gjatë fazave të ndryshme të procedurave dhe në kushte të caktuara.

“Në përgjithësi, ligji dhe rregullat parashikojnë mundësinë e marrjes së masave të caktuara në lidhje me pasuritë gjatë fazave të ndryshme të procedurave dhe në kushte të caktuara. Çdo masë e tillë duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe rregullat”, tha ai.

Duke iu referuar dokumenteve publike, ai tha se ato mund të kërkohen përmes bazës së të dhënave të gjykatës.

“Të gjitha dokumentet publike mund të aksesohen dhe të kërkohen përmes Bazës së të Dhënave të Regjistrave Publikë të Gjykatës”, shtoi ai.

Ndërsa lidhur me pyetjet për masat e mundshme ndaj pasurive të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, Doyle tha: “Nuk jam në dijeni të ndonjë dokumenti publik që do t’u përgjigjej pyetjeve tuaja”.

Përgjigjja e gjykatës nuk konfirmon nëse ndaj ndonjërit prej katër të akuzuarve janë marrë masa konkrete për ngrirjen apo ruajtjen e pasurive. Ajo sqaron vetëm se masa të tilla mund të parashikohen nga ligji dhe rregullat, në varësi të kushteve dhe fazës së procedurës gjyqësore.