Kurti: 37 mijë libra falas për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se për vitin shkollor 2026/2027 janë shpërndarë 37 mijë e 429 libra në gjuhën shqipe dhe të gjuhëve të huaja për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës. Kurti tha se librat janë shpërndarë për 3 mijë e 686 nxënës në 15 shkolla fillore me mësim në…

Lajme

14/09/2026 20:45

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se për vitin shkollor 2026/2027 janë shpërndarë 37 mijë e 429 libra në gjuhën shqipe dhe të gjuhëve të huaja për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës.

Kurti tha se librat janë shpërndarë për 3 mijë e 686 nxënës në 15 shkolla fillore me mësim në gjuhën shqipe, nga klasa e parë deri në klasën e tetë.

Sipas tij, shpërndarja është bërë përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, ndërsa mbështetja për arsimin në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë po vazhdon edhe këtë vit.

Kurti ka kritikuar Beogradin, duke thënë se Serbia gjatë muajve janar dhe prill të këtij viti ka bllokuar dhe refuzuar mjetet e Qeverisë së Kosovës të dedikuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Pavarësisht se në janar dhe prill të këtij viti Serbia bllokoi dhe refuzoi mjetet e Qeverisë së Kosovës të dedikuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ne do të jemi pranë secilit nxënës e secilës nxënëse në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka shkruar Kurti.

Ai theksoi se Qeveria e Kosovës që nga viti 2022 mbështet pajisjen e nxënësve shqiptarë në këto tri komuna me libra falas.

“Këtë përkushtim po e vazhdojmë edhe këtë vit, sepse fëmijët nuk duhet të paguajnë çmimin e pengesave të pamerituara e diskriminimit nga Beogradi”, deklaroi Kurti.

Kryeministri shtoi se mbështetja e Kosovës për arsimin në gjuhën shqipe është e qëndrueshme, duke theksuar se “shqiptarët e Luginës nuk janë vetëm”.