Tahiri: Ne kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese një masë të përkohshme që të mos ketë dëme e situata më të rënda juridike e institucionale
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri ka folur sot para mediave, pasi bashkë me deputetin Përparim Gruda dhe avokatin Faton Fetahu e kanë dërguar një lëndë në Gjykatë Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Ai ka thënë se këtë lëndë sapo e kanë dërguar për të vlerësuar kushtetutshmërinë për konstatimin e…
Lajme
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri ka folur sot para mediave, pasi bashkë me deputetin Përparim Gruda dhe avokatin Faton Fetahu e kanë dërguar një lëndë në Gjykatë Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
Ai ka thënë se këtë lëndë sapo e kanë dërguar për të vlerësuar kushtetutshmërinë për konstatimin e tyre rreth konstituimit të Kuvendit, zgjedhjes së kryetarit, mënyrës së zgjedhjes së nënkryetarëve, ndryshimit të procedurës së votimit të nënkryetarëve.
“Ne besojmë dhe në vazhdimësi kemi folur me respekt dhe me besim për punën, profesionalizmin e Gjykatës Kushtetuese andaj edhe sot flasim me vlerësim dhe besim dhe konsiderojmë që është imediate, shumë e rëndësishme që fillimisht të vendoset masa në mënyrë që të mos formohen dëme e situata më të rënda në kuptim juridik, institucional sepse edhe Qeveria që është zgjedh dje nga Kuvendi i cili nuk është realisht i konstituuar dhe nuk ka ligjshmëri për ta votuar Qeverinë, mund të vazhdoj të marr vendime të jashtëligjshme”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se për çdo vendim të jashtëligjshëm të këtij Kuvendi do t’i drejtohen Kushtetueses.
“Për të gjitha këto ne do t’i drejtohemi Gjykatës, për secilin vendim të jashtëligjshëm në mënyrë që vendi të kthehet në binare kushtetuese dhe të respektohen institucionet dhe akti më i lartë juridik i vendit, kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri. /Lajmi.net/