Votimi i Ardian Golës dhe mosvotimi i Vlora Çitakut – Çka ndodhi sot në Kuvend?

Kuvendi i Kosovës nuk përmbylli konstituimin as në seancën e 11 shtatorit, pasi Partia Demokratike e Kosovës lëshoi sallën plenare për shkak se e propozuara e tyre për nënkryetare, Vlora Çitaku, nuk mori votat e nevojshme. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ndërpreu seancën konstituive dhe shtoi se për vazhdimin e saj, deputetët do të…

Lajme

11/09/2026 12:58

Kuvendi i Kosovës nuk përmbylli konstituimin as në seancën e 11 shtatorit, pasi Partia Demokratike e Kosovës lëshoi sallën plenare për shkak se e propozuara e tyre për nënkryetare, Vlora Çitaku, nuk mori votat e nevojshme.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ndërpreu seancën konstituive dhe shtoi se për vazhdimin e saj, deputetët do të njoftohen me kohë.

Vazhdimi i seancës konstituive nisi me mospajtime lidhur me formën e votimit të nënkryetarëve, por më pas me 71 vota për, u vendos që për pesë nënkryetarët të zhvillohej votim i ndarë.

Ardian Gola i Lëvizjes Vetëvendosje mori 100 vota dhe u zgjodh në këtë post. Por, Vlora Çitaku arriti të merrte vetëm 44 vota, pasi deputetët e LVV-së abstenuan.

Pas kësaj, Haxhiu kërkoi që PDK të bënte sërish propozim për postin e nënkryetarit, por përveç Mërgim Lushtakut, të gjithë deputetët e PDK-së u larguan nga salla plenare.

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, duke paralajmëruar se më nuk marrin pjesë në seancën konstituive.

“Nga sot, PDK nuk ka arsye të marrë pjesë në seancën plenare dhe ne do ta dërgojmë lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Jemi të sigurt që afatet kushtetuese kanë përfunduar më 7 gusht. Sot nuk po e respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses për mënyrën e votimit, pasi aty thuhet se duhet të ketë konsensus. Nuk ka konsensus. Ne e votuam kandidatin e LVV, por ata nuk e mbështeten kandidaten tonë”, tha kreu i PDK-së, Bedri Hamza, pasi doli nga salla plenare.

Para se të hidhej në votim emri i Golës, Lëvizja Vetëvendosje tha se do të mbështesë një nga të propozuarit për nënkryetarë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, por u mbetet në dorë deputetëve që të zgjedhin se kë të mbështesin.

Lidhja Demokratike e Kosovës tha se mbështet të gjithë të propozuarit e partive, ndërkaq PDK tha se LVV-ja duhet të garantojë konstituimin e Kuvendit.

Diskutimet për mënyrën e votimit të nënkryetarëve
Haxhiu e nisi vazhdimin e seancës konstituive me konsultim me përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Më pas, njoftoi se nuk kishte pajtim për votim në pako për nënkryetarët.

“Kisha konsultim të shkurtër me përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Duke qenë se nuk ka një dakordim për votim në pako, atëherë forma e vetme është që të votohen veç e veç. Për votim veç e veç ishin dakord të gjitha grupet parlamentare. Prandaj duhet të vazhdojmë me votimin veç e veç” për nënkryetarët, tha Haxhiu.

Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se pasi nuk ka pajtim për votim në pako, kërkoi që votimi për nënkryetarë të bëhet veç e veç.

Por, Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës u shpreh se nuk ka konsensus për ndryshimin e formës së votimit.

“Aktgjykimi [i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit të Kuvendit] thotë që duhet të respektohet praktika e deritanishme parlamentare. Herën e fundit ishte [votimi] në pako. Për t’u ndërruar praktika parlamentare, duhet konsensus. Konsensus nuk ka”, tha ai, duke paralajmëruar se PDK-ja nuk do të votojë nëse ndërrohet forma e votimit “si mjet bllokade”.

Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës deklaroi nuk e konteston vullnetin e deputetëve për të përkrahur apo jo për propozimet, por duhet të hidhen në votim.

“Meqë nuk ka konsensus, ne jemi në përkrahje të votimit individual”, tha ajo.

Igor Simiq nga Lista Serbe tha se voton në cilëndo formë, por shtoi se “dikush po kërkon të bëhen lojëra”, duke argumentuar se mënyra e votimit të nënkryetarëve është bërë në atë mënyrë që të konstituohet organi ligjvënës.

“Ne jemi për t’u votuar individualisht apo në pako. Ne presim që kandidati ynë të marrë votat e nevojshme dhe të vazhdojmë me punën sepse kemi përgjegjësi para qytetarëve”, tha ai.

Më pas, Nagavci sërish mori fjalën dhe tha se PDK ishte pajtuar për çfarëdo forme të votimit të nënkryetarëve. Por, Gruda u përgjigj se nëse LVV garanton konstituimin e Kuvendit “ne pranojmë çdo formë votimi”.

Më pas, mënyra e zgjedhjes së nënkryetarëve u hodh në votim dhe me 71 vota për u vendos për votimin veç e veç.

Seanca konstituive e Kuvendit, 11 shtator:

Vazhdimi i seancës të së premtes vjen pasi të mërkurën Haxhiu u rizgjodh kryetare, por seanca u shty për shkak të mospajtimeve mes partive politike lidhur me votimin e pesë nënkryetarëve.

Partitë nuk gjetën pajtim se si të votohen nënkryetarët, në pako apo ndaras. Po ashtu, një tjetër arsye e shtyrjes së seancës nga Haxhiu ishte shprehja “në emër të popullit serb” e përdorur nga Igor Simiq i Listës Serbe kur ai propozoi një bashkëpartiak të tij për postin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Haxhiu, por edhe Arbërie Nagavci nga LVV-ja thanë se nuk ka pajtim mes partive as për Vlora Çitakun e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kujtim Shalën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të propozuar për nënkryetarë të legjislaturës së njëmbëdhjetë të dalë nga zgjedhjet parlamentare të qershorit.