Buxheti i festivalit pengon pjesëmarrjen e Rita Orës në “Akordet e Kosovës”

Rita Ora nuk do të jetë pjesë e edicionit të sivjetmë të “Akordeve të Kosovës”, pavarësisht se organizatorët kishin synuar ta sillnin këngëtaren në Prishtinë si një nga mysafiret speciale të festivalit. Arsyeja kryesore lidhet me kostot financiare. Sipas informacioneve të publikuara nga “Zëri”, negociatat mes organizatorëve dhe menaxhmentit të këngëtares nuk kanë çuar në…

ShowBiz

10/09/2026 17:20

Rita Ora nuk do të jetë pjesë e edicionit të sivjetmë të “Akordeve të Kosovës”, pavarësisht se organizatorët kishin synuar ta sillnin këngëtaren në Prishtinë si një nga mysafiret speciale të festivalit.

Arsyeja kryesore lidhet me kostot financiare. Sipas informacioneve të publikuara nga “Zëri”, negociatat mes organizatorëve dhe menaxhmentit të këngëtares nuk kanë çuar në një marrëveshje, pasi kërkesat financiare kanë qenë përtej buxhetit që festivali mund të përballonte.

Organizatorët kishin tentuar të gjenin një zgjidhje alternative për ta bërë të mundur ardhjen e Ritës në Kosovë. Një nga opsionet e shqyrtuara ishte që ajo të udhëtonte pa një numër të madh anëtarësh të stafit shoqërues, duke ulur kështu shpenzimet.

Por edhe kjo alternativë nuk ka mjaftuar.

Çështja është diskutuar edhe në kuadër të Bordit të RTK-së, ku drejtoresha e “Akordeve të Kosovës”, Arta Avdiu, ka dhënë detaje rreth përpjekjeve për ta siguruar pjesëmarrjen e këngëtares.

Avdiu ka treguar se kishte tentuar të kontaktonte edhe me familjen e Ritës, pa e përmendur atë drejtpërdrejt me emër, por sipas saj kostoja e kërkuar ishte shumë e lartë për mundësitë financiare të festivalit.

“Nuk është që s’kam insistu me familjen e saj për të qenë, por ajo ka kosto shumë të kushtueshme. Natyrisht që ka kërkuar kosto të madhe dhe ne s’kemi pas mundësi as me mendu tutje”, ka deklaruar Avdiu para anëtarëve të Bordit.

Në anën tjetër, “Akordet e Kosovës” tashmë kanë një mbështetje të përcaktuar financiare nga shteti. Në muajin maj, RTK dhe Ministria e Kulturës kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, përmes të cilit festivali do të përfitojë 1.2 milion euro gjatë një periudhe trevjeçare.

Shuma prej 400 mijë eurosh në vit, duke nisur nga ky vit, është paraparë të dedikohet për organizimin e festivalit.

Edhe pse këtë vit eventi vjen me emrin e ri “Akordet e Kosovës”, rregullorja e tij vazhdon të jetë e njëjtë me atë të Festivalit të Këngës.