Hoti i quan dështakë Qeverinë Kurti: Sot projekti i gazit amerikan mund të ishte në finalizim, me Kosovën e Re do të kushtonte 80 euro megavati

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë për gjendjen në sektorin e energjisë, duke thënë se miratimi i masave për energji në Kuvend, në orët e vona të së mërkurës, është dëshmi e dështimit të qeverisjes gjashtëvjeçare. Ai ka vlerësuar se në vend të këtyre masave, Kuvendi do të duhej të miratonte kredi garantuese…

Lajme

20/11/2026 12:20

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë për gjendjen në sektorin e energjisë, duke thënë se miratimi i masave për energji në Kuvend, në orët e vona të së mërkurës, është dëshmi e dështimit të qeverisjes gjashtëvjeçare.

Ai ka vlerësuar se në vend të këtyre masave, Kuvendi do të duhej të miratonte kredi garantuese për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), për ndërtimin e termocentraleve të reja, ose projekte përmes partneriteteve.

Hoti ka kritikuar edhe kontratat për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut dhe blerjen e energjisë elektrike nga ky shtet, duke deklaruar se energjia është blerë me çmim deri në dhjetëfish më të lartë sesa kostoja e prodhimit në KEK.
Sipas tij, anulimi i projektit “Kosova e Re” e ka privuar vendin nga mundësia për t’u furnizuar me energji nga një termocentral i ri, me çmim fiks prej 80 eurosh për megavat-orë.

Ai ka përmendur edhe projektin e gazit, për të cilin ka thënë se, po të mos ishte anuluar, sot mund të ishte në fazën përfundimtare të realizimit.

Hoti ka paralajmëruar se, në mungesë të projekteve për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese, Kosova do të vazhdojë të përballet me të njëjtat probleme me energjinë edhe për të paktën pesë vjet.

Sipas tij, pasojat e kësaj situate po i bartin të gjithë qytetarët, ndërsa bizneset po humbin konkurrueshmërinë për shkak të kostove të larta të energjisë.

“Pasojat e kësaj situate po i bartim të gjithë. Bizneset tona po bëhen jokonkurruese për shkak të kostove më të larta”, ka shkruar Hoti.