Mbrojtja e Thaçit godet fort ZPS-në: 35 orë audio, por Prokuroria mbështetet vetëm në 2-3 pjesë – nuk kanë prova të mjaftushme

Mbrojtja e Hashim Thaçit, në fjalën përmbyllëse para trupit gjykues, ka ngritur kritika lidhur me mënyrën se si Prokuroria e Specializuar ka përdorur dhe interpretuar materialet audio dhe transkriptet e bisedave. Mbrojtja, e përfaqësuar nga avokatja, Sophie Menegon thotë se ZPS-ja ka regjistruar më shumë se 35 orë audio, por në argumentimin e saj është…

Lajme

10/09/2026 15:35

Mbrojtja e Hashim Thaçit, në fjalën përmbyllëse para trupit gjykues, ka ngritur kritika lidhur me mënyrën se si Prokuroria e Specializuar ka përdorur dhe interpretuar materialet audio dhe transkriptet e bisedave.

Mbrojtja, e përfaqësuar nga avokatja, Sophie Menegon thotë se ZPS-ja ka regjistruar më shumë se 35 orë audio, por në argumentimin e saj është mbështetur vetëm në disa pjesë të caktuara të këtyre materialeve, raporton lajmi.net

“ZPS-ja ka regjistruar më shumë se 35 orë audio, ndërkohë që tani i referohet vetëm 2 ose 3 pjesëve të caktuara të provës dhe, duke marrë parasysh këto 3 pjesë të caktuara të transkriptit, ajo argumenton që çdo transkript tjetër duhet të konsiderohet si i mbështetshëm”, tha mbrojtja e Thaçit.

Avokatët kanë argumentuar se fakti që gjatë një kontrolli është konstatuar se një dokument është diskutuar gjatë një vizite, nuk dëshmon se cilat kanë qenë konkretisht fjalët e përdorura gjatë asaj bisede.

“Edhe në qoftë se konstatimi i ZPS-së gjatë një kontrolli, ky dokument është diskutuar gjatë një vizite, nuk na tregon se cilat kanë qenë fjalët konkrete që janë folur gjatë vizitës”, u shpreh mbrojtja.

Mbrojtja ka kundërshtuar edhe besueshmërinë e transkripteve, duke iu referuar ekspertizës së një profesori dhe ndikimit që, sipas saj, mund të ketë leximi i transkriptit te personat që dëgjojnë më pas materialin audio.

“Ne parashtrojmë që verifikimi i përkthimit të transkriptit nuk shton asgjë sa i përket besueshmërisë. Ekspertiza e profesorit e bën shumë të qartë këtë. Leximi i transkriptit ndërkohë që dëgjohet audioja e pashqueshme çon në ndikim tekstual. Ky dëgjues ndikohet, se do të dëgjojë fjalë të caktuara përpara se të dëgjojë këto fjalë”, tha mbrojtja.

Sipas avokatëve, ZPS-ja nuk ka paraqitur prova që do ta rrëzonin këtë qëndrim të mbrojtjes.

“Ndërkohë që ZPS-ja nuk na ka dhënë ose nuk ka përjashtuar asgjë për ta kundërshtuar këtë qëndrim të ekspertes. ZPS-ja e ka barrën e provës dhe se mbrojtja ka shpjeguar mjaftueshëm se çfarë kundërshtimesh ka ajo sa i takon transkriptimeve dhe e ka bërë shumë të qartë se qëndrimi i mbrojtjes është që kemi të bëjmë me ndikim tekstual tek personat që kanë bërë transkriptimin”, përfundoi mbrojtja e Thaçit./Lajmi.net/