Apeli vendos: “Trepça” duhet ta rikthejë Gëzim Mustafën në pozitën e drejtorit

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e ndërmarrjes “Trepça” SH.A. dhe ka lënë në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me të cilin ndërmarrja obligohet ta kthejë Gëzim Mustafën në pozitën e drejtorit të Flotacionit në njësinë biznesore Miniera me Flotacion “Trepça-Stantërg”. Mustafa i cili ishte drejtor i Flotacionit në këtë njësi biznesore, ishte…

Lajme

10/09/2026 15:24

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e ndërmarrjes “Trepça” SH.A. dhe ka lënë në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me të cilin ndërmarrja obligohet ta kthejë Gëzim Mustafën në pozitën e drejtorit të Flotacionit në njësinë biznesore Miniera me Flotacion “Trepça-Stantërg”.

Mustafa i cili ishte drejtor i Flotacionit në këtë njësi biznesore, ishte transferuar në pozitën e inxhinierit në njësinë biznesore Miniera me Flotacion Kishnicë dhe Artanë.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se transferimi i tij ishte i kundërligjshëm.

Sipas aktgjykimit të Apelit, “Trepça” kishte arsyetuar lirimin e Mustafës nga pozita dhe transferimin e tij me “menaxhimin jo të duhur”. Megjithatë, gjykata ka konstatuar se ndaj tij nuk ishte zhvilluar procedurë disiplinore për të konstatuar mënyrën e menaxhimit dhe shkeljet eventuale.

“E paditura nuk ka zhvilluar procedurë disiplinore ndaj paditësit në atë mënyrë që të konstatohet mënyra e menaxhimit dhe të përcaktoheshin shkeljet eventuale, por me rastin e marrjes së vendimeve të saj është bazuar vetëm në analizën e vlerësimit të punës në Flotacionin Tuneli i Parë në vitin 2024, i cili raport është i panënshkruar, i paprotokolluar dhe nuk dihet nga kush është nxjerrë”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Gjykata ka vlerësuar se ndërmarrja nuk kishte arritur t’i argumentonte me prova konkrete pretendimet se vendimet për transferimin e Mustafës ishin nxjerrë në përputhje me ligjin dhe nga personi kompetent.

Në aktgjykim thuhet se nuk ishte kontestuese se Mustafa, përmes kontratës së punës të lidhur më 15 gusht 2023, kishte themeluar marrëdhënie pune me kohë të caktuar në pozitën e drejtorit të Flotacionit në njësinë biznesore Miniera me Flotacion në “Trepça” SH.A., me pagë prej 1,050 eurosh.

Ndërkaq, me vendimin e ndërmarrjes, ai ishte sistemuar në pozitën e inxhinierit të njësisë për përpunimin e xehes në njësinë biznesore Miniera me Flotacion Kishnicë dhe Artanë.

Sipas Apelit, Gjykata Themelore në Mitrovicë kishte vendosur për aprovimin e kërkesëpadisë së Mustafës, pasi “Trepça” nuk kishte dëshmuar me prova konkrete bazën mbi të cilën ishte marrë vendimi për transferimin e tij.

“Mbi këtë bazë gjykata ka vendosur për aprovimin e kërkesëpadisë së paditësit edhe pse e paditura ka pretenduar se vendimet e nxjerra nga ana e saj janë në harmoni me ligjin dhe nxjerrë nga personi kompetent, mirëpo që këto pretendime nuk i ka argumentuar me prova konkrete”, thuhet në aktgjykim.

Apeli ka vlerësuar se aktgjykimi i Gjykatës Themelore është i drejtë dhe i ligjshëm, ndërsa dispozitivi i tij është i qartë dhe në përputhje me arsyetimin e dhënë.

Me aktgjykimin e Apelit, “Trepça” obligohet që Mustafën ta kthejë në pozitën e mëparshme të drejtorit të Flotacionit në njësinë biznesore Miniera me Flotacion “Trepça-Stantërg”, në pajtim me kontratën e punës, brenda shtatë ditësh nga pranimi i aktgjykimit, nën kërcënimin e përmbarimit të detyrueshëm.

“Detyrohet, e paditura, që paditësin ta kthejë në pozitën e mëparshme të punës si drejtor i Flotacionit, në njësinë biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stantërg, në pajtim me kontratën e punës të datës 31.07.2023, nga njësia biznesore Miniera me Flotacion Kishnicë Artanë, në afat prej 7 ditësh nga pranimi i këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit të detyrueshëm”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Përveç kthimit në pozitën e mëparshme, “Trepça” është obliguar t’i kompensojë Mustafës 544.34 euro diferencë në pagë për periudhën nga 25 shtatori deri më 9 dhjetor 2024, si dhe “Trepça” do t’ia paguajë paditë sit shpenzimet e procedurës kontestimore në shumë të përgjithshme prej 544 euro.