Mbrojtja e Thaçit ngre dyshime për transkriptet e audios: ZPS nuk na tregon si është ndjekur procesi

Mbrojtja e Hashim Thaçit, në fjalën përmbyllëse në Hagë, ka argumentuar se cilësia e disa prej incizimeve të përdorura si prova është e paqartë dhe ka ngritur kritika ndaj mënyrës së transkriptimit të tyre nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. “Ne nuk po themi se i gjithë incizimi është i padegjueshëm. Ne e pranojmë se…

Lajme

10/09/2026 15:28

Mbrojtja e Hashim Thaçit, në fjalën përmbyllëse në Hagë, ka argumentuar se cilësia e disa prej incizimeve të përdorura si prova është e paqartë dhe ka ngritur kritika ndaj mënyrës së transkriptimit të tyre nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Ne nuk po themi se i gjithë incizimi është i padegjueshëm. Ne e pranojmë se një pjesë e tyre kanë një cilësi më të mirë. Atë që znj. Frajzer e quan të paqartë, është e pamundur për ju si gjykatës apo dikënd tjetër të dalë në përfundim nga transkriptet e ZPS-së se cilat nga audio janë të paqarta dhe cilat janë të padallueshme”, ka deklaruar mbrojtja, raporton lajmi.net.

Sipas mbrojtjes, ZPS-ja nuk i ka kryer transkriptimet përmes një procesi të pavarur, i cili do të mundësonte përcaktimin e pjesëve të padecipherueshme të incizimeve.

“ZPS nuk i ka kryer këto transkripte përmes procesit të cilin e rekomandoi z. Frajzer, një vlerësim ky që do të na shërbente për të kuptuar cilat pjesë janë të padeshifrueshme dhe cilat janë të paqarta”, është thënë në fjalën përmbyllëse.

Mbrojtja ka pretenduar gjithashtu se transkriptuesit e ZPS-së mund të jenë ndikuar nga informacioni kontekstual gjatë interpretimit të audios.

“Për më tepër, nuk duhet të bëhet nga persona që kanë qenë të ekspozuar ndaj informacionit kontekstual, i njohur ndryshe si informacioni nga lart-poshtë. Transkriptuesit e ZPS-së besojnë se dëgjonin atë që ishte në audio, por ama janë mbështetur shumë edhe në pritshmëritë e tyre subkoshiente se si duhej ta interpretonin audion”, ka argumentuar mbrojtja.

Ajo ka thënë se për këto lloj provash do të duhej të ndiqej një proces i dokumentuar dhe i pavarur.

“Provat në këtë rast janë të qarta se si duhej bërë një transkript i besueshëm për këto lloj audiosh. Ky proces do duhej marrë seriozisht, transkriptuesit do duhej të ishin të kualifikuar, do duhej të kishin punuar në mënyrë të pavarur nga hetuesit e ZPS-së dhe do duhej të kishin ndjekur një proces të dokumentuar. Asgjë prej tyre nuk është bërë në këtë rast”, ka thënë mbrojtja.

Në fund, mbrojtja ka kritikuar ZPS-në për mungesë transparence lidhur me mënyrën se si janë përgatitur transkriptet.

“Tani ZPS refuzon të na japë me saktësi se si është ndjekur procesi”, ka deklaruar ajo.

Mbrojtja e Thaçit ka kërkuar nga trupi gjykues që ish-presidenti i Kosovës të lirohet nga të gjitha akuzat në rastin për pengim të administrimit të drejtësisë. /Lajmi.net/