E dëgjuam edhe këtë | Deputeti i VV-së fajëson komunat për rezultatet e testit “PISA”, hesht për Ministrinë e Arsimit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, ka reaguar për rezultatet e dobëta të nxënësve kosovarë në testin PISA, por përgjegjësinë për gjendjen në arsimin parauniversitar duket se e ka kërkuar diku tjetër. Në një reagim të publikuar në Facebook, Haliti ka drejtuar kritikat kryesisht ndaj komunave, duke ngritur pyetjen se përse, sipas tij, ato nuk po përballen me kritika për rezultatet e Kosovës në…
Lajme
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, ka reaguar për rezultatet e dobëta të nxënësve kosovarë në testin PISA, por përgjegjësinë për gjendjen në arsimin parauniversitar duket se e ka kërkuar diku tjetër.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Haliti ka drejtuar kritikat kryesisht ndaj komunave, duke ngritur pyetjen se përse, sipas tij, ato nuk po përballen me kritika për rezultatet e Kosovës në PISA, transmeton lajmi.net.
Megjithatë, në reagimin e tij nuk përmendet përgjegjësia e Ministrisë së Arsimit, institucion ky që është nën drejtimin e Vetëvendosjes prej disa vitesh.
Duke u marrë me përgjegjësitë e komunave, Haliti shkruan:
“Si nuk pashë askënd duke i kritikuar komunat e Kosovës për rezultatin e dobët në PISA? Kur rezultatet janë të dobëta, të gjithë nxitojnë të kërkojnë përgjegjësi në nivelin qendror. Por, çuditërisht, shumë pak flitet për përgjegjësinë e komunave. Nga çerdhja, te shkolla fillore e deri te shkolla e mesme, arsimi parauniversitar është kryesisht kompetencë dhe përgjegjësi e komunave. Komunat kanë përgjegjësi për drejtoritë e arsimit, menaxhimin e shkollave, përzgjedhjen e drejtorëve dhe mësimdhënësve”, ka shkruar ai.
Reagimi i deputetit ka nxitur vëmendje pikërisht për atë që mungon në të: asnjë adresim konkret ndaj Ministrisë së Arsimit dhe përgjegjësisë së nivelit qendror.
Në vend që të japë një vlerësim për punën e institucioneve qendrore që kanë përgjegjësi për politikat arsimore, kurrikulat, standardet dhe orientimin e sistemit arsimor, Haliti ka zgjedhur të fokusohet te komunat.
Kjo e bën reagimin e tij të duket më shumë si një përpjekje për ta zhvendosur barrën e përgjegjësisë sesa si një analizë e plotë e arsyeve që kanë çuar në rezultatet e dobëta të Kosovës në PISA./lajmi.net/