Përshkallëzohet konflikti: SHBA godet tre cisterna iraniane të naftës

Ushtria amerikane goditi tre cisterna iraniane që transportonin naftë bruto, duke thënë se sulmet ishin përgjigje ndaj raketave të lëshuara nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kundër dy anijeve patrulluese amerikane. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se forcat amerikane shmangën disa sulme iraniane dhe se nuk pati të plagosur në radhët…

Bota

06/09/2026 11:37

Ushtria amerikane goditi tre cisterna iraniane që transportonin naftë bruto, duke thënë se sulmet ishin përgjigje ndaj raketave të lëshuara nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kundër dy anijeve patrulluese amerikane.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se forcat amerikane shmangën disa sulme iraniane dhe se nuk pati të plagosur në radhët e personelit amerikan.

Sipas CENTCOM-it, dy cisterna u “çaktivizuan përgjithmonë”, ndërsa një e tretë u “shkatërrua plotësisht”. Më vonë, komanda amerikane njoftoi se njëra prej tyre, M/T Kylo, ishte fundosur dhe se nuk transportonte naftë në momentin e goditjes.

CENTCOM pretendoi se cisternat ishin pjesë e një rrjeti shumëmiliardësh për financimin e IRGC-së dhe grupeve të saj aleate në rajon.

“Mesazhi për IRGC-në duhet të jetë i qartë: Nëse qëlloni mbi dy nga anijet tona, ne do të vendosim një kosto edhe më të lartë ekonomike, duke goditur tre nga tuajat”, citoi CENTCOM admiralin Brad Cooper, transmeton atsh.

Sulmet amerikane pasuan raportimet e mediave iraniane për shpërthime pranë ishullit Kharg, qendra kryesore e eksporteve të naftës bruto të Iranit.

Agjencia “Tasnim” raportoi se katër raketa amerikane goditën një cisternë rreth 11 kilometra larg brigjeve të Khargut, ndërsa ISNA njoftoi se ishte goditur një anije e vogël. Sipas raportimeve, nuk pati viktima.

Ishulli Kharg ka rëndësi të madhe për ekonominë iraniane, pasi besohet se më shumë se 90% e eksporteve të naftës bruto të vendit kalojnë përmes objekteve të tij.