VV-ja nuk e respekton as afatin që e vendosi vetë: Gërvalla tha se Kuvendi konstituohet deri më 6 shtator
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka caktuar 9 shtatorin si datë për vazhdimin e seancës së nisur më 6 gusht. Seanca do të vazhdojë në ora 11:00, ndërsa caktimi i saj përtej 6 shtatorit bie ndesh edhe me afatin që përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje e kishin interpretuar publikisht si afat…
Lajme
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka caktuar 9 shtatorin si datë për vazhdimin e seancës së nisur më 6 gusht.
Seanca do të vazhdojë në ora 11:00, ndërsa caktimi i saj përtej 6 shtatorit bie ndesh edhe me afatin që përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje e kishin interpretuar publikisht si afat të fundit për konstituimin e Kuvendit, transmeton lajmi.net.
Ishte deputetja e VV-së, Donika Gërvalla, ajo që më 12 gusht kishte deklaruar se Kuvendi kishte 30 ditë kohë për t’u konstituuar, duke e përcaktuar 6 shtatorin si datë përfundimtare sipas interpretimit të saj.
Gjatë një debati me deputetin e PDK-së, Përparim Gruda, Gërvalla ishte pyetur nëse afati përfundonte më 7 shtator.
“Jo s’është deri më 7 shtator, po më 6 shtator”, kishte deklaruar ajo.
Gërvalla kishte argumentuar se afati 30-ditor duhej të llogaritej nga dita kur ishte mbledhur Kuvendi.
“Ne i kemi edhe 30 ditë nga dita kur mblidhet Kuvendi”, kishte thënë ajo.
Megjithatë, tash vazhdimi i seancës është caktuar për 9 shtator, tri ditë pas datës që vetë Gërvalla e kishte përmendur si fundin e afatit.
Në anën tjetër, çështja e afatit për konstituimin e Kuvendit është bërë pjesë e debatit politik dhe juridik. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
KQZ-ja rezultatet e zgjedhjeve i kishte certifikuar më 8 korrik.
Me caktimin e vazhdimit të seancës për 9 shtator, VV-ja tash përballet me kritikën se ka tejkaluar edhe afatin që përfaqësuesit e saj e kishin interpretuar më herët si datën e fundit për konstituimin e Kuvendit./lajmi.net/