Ramadani: Sonte skadon edhe afati sipas interpretimit politik të VV-së për konstituimin e Kuvendit

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar lidhur me zvarritjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se sonte skadon edhe afati sipas interpretimit politik që, sipas tij, Vetëvendosje e ka dhënë më herët. Ramadani ka thënë se më 8 korrik janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve, ndërsa seanca konstituive e Kuvendit është thirrur më…

Lajme

05/09/2026 08:18

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar lidhur me zvarritjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se sonte skadon edhe afati sipas interpretimit politik që, sipas tij, Vetëvendosje e ka dhënë më herët.

Ramadani ka thënë se më 8 korrik janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve, ndërsa seanca konstituive e Kuvendit është thirrur më 6 gusht, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, interpretimi kushtetues ka qenë që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, afat të cilin e konsideron të përfunduar më 7 gusht.

Ndërkaq, Ramadani ka pretenduar se interpretimi politik i Vetëvendosjes ka qenë që afati 30-ditor fillon nga dita e thirrjes së seancës konstituive. Sipas kësaj llogarie, ai ka thënë se afati përfundon sonte, më 5 shtator, në orën 23:59.

“Jo vetëm që nuk u respektua interpretimi kushtetues për afatin e konstituimit të Kuvendit, por Vetëvendosje nuk po e respekton as interpretimin e saj politik për këtë afat”, ka shkruar Ramadani.

Ai ka kritikuar edhe vendimin për vazhdimin e seancës më 9 shtator, duke e cilësuar si “provokim të qëllimshëm” dhe veprim që, sipas tij, prodhon jostabilitet institucional.

“Kuvendi mund të konstituohet vetëm edhe sot. Pas sonte nuk ka më asnjë arsyetim, asnjë interpretim dhe asnjë sekondë shtesë”, ka deklaruar Ramadani.

Në fund, ai ka thënë se pas 5 shtatorit “nuk ka më afat as kushtetues, as politik, as moral”.

Postimi i plotë:

Sonte skadon edhe afati sipas interpretimit politik të Vetëvendosjes për konstituimin e Kuvendit.
Nga nesër nuk mbetet më asnjë afat, as kushtetues, as sipas interpretimit politik që vetë VV-ja e ka bërë.

Situata është e thjeshtë:

• Më 8 korrik janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve.
• Seanca konstituive është thirrur më 6 gusht.
• Interpretimi kushtetues është se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve. Sipas këtij interpretimi, afati ka përfunduar më 7 gusht.
• Interpretimi politik i Vetëvendosjes ka qenë se afati prej 30 ditësh fillon nga dita e thirrjes së seancës konstituive. Sipas kësaj logjike, afati skadon sonte, më 5 shtator, në orën 23:59.

Kaq e thjeshtë është.

Jo vetëm që nuk u respektua interpretimi kushtetues për afatin e konstituimit të Kuvendit, por Vetëvendosje nuk po e respekton as interpretimin e saj politik për këtë afat.

Prandaj, thirrja e vazhdimit të seancës për 9 shtator nuk mund të interpretohet ndryshe veçse si provokim i qëllimshëm dhe si një veprim që prodhon jostabilitet institucional.

Kuvendi mund të konstituohet vetëm edhe sot.

Pas sonte nuk ka më asnjë arsyetim, asnjë interpretim dhe asnjë sekondë shtesë.

Pas ditës së sotme, nuk ka më afat as kushtetues, as politik, as moral./lajmi.net/