Baraliu: Marrëveshja VV-LDK duhet të vazhdojë, deputetët duhet të bëjnë kuorumin për Presidentin

Dy ditë më parë, kreu i VV-së, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u dakorduan që Bekim Sejdiu të jetë kandidat për president të vendit. Mirëpo, gjatë ditës së djeshme, gjashtë deputetë të LDK-së, në mbledhjen e grupit parlamentar, vendosën që të mos e përkrahin arritjen e kësaj marrëveshjeje. Mazllum Baraliu ka thënë…

Lajme

02/09/2026 20:06

Dy ditë më parë, kreu i VV-së, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u dakorduan që Bekim Sejdiu të jetë kandidat për president të vendit.

Mirëpo, gjatë ditës së djeshme, gjashtë deputetë të LDK-së, në mbledhjen e grupit parlamentar, vendosën që të mos e përkrahin arritjen e kësaj marrëveshjeje.

Mazllum Baraliu ka thënë se marrëveshja mes VV-së dhe LDK-së duhet të vazhdojë, pavarësisht kundërshtimeve.

“Është për keqardhje. Sa bëhet një hap përpara, vjen dikush që, me vetëdije institucionale, bën një hap prapa. Kjo ka qenë alternativa e vetme pas zgjedhjeve”, ka thënë fillimisht Baraliu.

Ai ka thënë se të dyja palët kanë pasur miratimin e kryesive për të zhvilluar negociatat, ndërsa pas arritjes së marrëveshjes kanë dalë zëra kundër saj.

“Të dyja palët kanë pasur miratimin e kryesive për negociata. Ndërkohë, pas arritjes së marrëveshjes, dalin zëra që, pa emancipim demokratik, dëmtojnë edhe partinë. Përkundër kësaj, kjo marrëveshje duhet të shkojë përpara. Këta njerëz me nivel akademik duhet të reflektojnë dhe të jenë prezentë në sallë për Presidentin, që ta bëjnë kuorumin”, tha Baraliu për Indeksonline.

Më tutje, Baraliu ka thënë se edhe liderët opozitarë do të duhej të reflektonin, në mënyrë që Kosova të ketë një president.

“Edhe liderët opozitarë do të duhej të reflektonin dhe të bëjnë kuorumin, që të kemi një president. Shkuarja në zgjedhje përsëri e dëmton vendin dhe do të kemi pasoja të pariparueshme”, ka thënë Baraliu.

Theksojmë se gjatë ditës së sotme është zhvilluar një takim i radhës mes Kurtit dhe Abdixhikut, por pa ndonjë sukses.