Isa Mustafa mbron 6 deputetët e LDK-së: Konsensusi nuk e zëvendëson Kushtetutën
Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka komentuar qëndrimin e gjashtë deputetëve të kësaj partie, të cilët nuk e kanë mbështetur Bekim Sejdiun për president të vendit. Mustafa ka rikujtuar mënyrën se si LDK-ja e zhvilloi fushatën në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke theksuar se, sipas tij, gara për Kuvend u orientua edhe drejt zgjedhjes së…
Lajme
Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka komentuar qëndrimin e gjashtë deputetëve të kësaj partie, të cilët nuk e kanë mbështetur Bekim Sejdiun për president të vendit.
Mustafa ka rikujtuar mënyrën se si LDK-ja e zhvilloi fushatën në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke theksuar se, sipas tij, gara për Kuvend u orientua edhe drejt zgjedhjes së presidentit.
“Nëse i referohemi memories, LDK në zgjedhjet e fundit, fushatën për zgjedhje parlamentare e shndërroi në atë për zgjedhje të presidentes, e cila pa qenë në LDK u kurorëzua në prijse të listës!?”, ka deklaruar Mustafa.
Ai ka thënë se Vetëvendosje nuk e kishte pranuar një qasje të tillë, ndërsa qytetarët, sipas tij, nuk ishin pyetur për një ndryshim të tillë të fokusit të zgjedhjeve.
Mustafa ka theksuar se zgjedhjet parlamentare kanë për qëllim zgjedhjen e Kuvendit dhe se më pas janë institucionet kushtetuese ato që ndjekin procedurat për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.
“VV nuk e pranoi këtë “marifet” ndërkaq askush nuk i pyeti qytetarët për konvertim të emrit. Zgjedhjet parlamentare bëhen për Kuvend. Dhe, pastaj Kuvendi e zgjedh qeverinë dhe presidentin.”, ka thënë ai për indeksonline.
Sipas ish-kryetarit të LDK-së, procesi i zgjedhjes së presidentit nuk mund të zhvillohet jashtë kornizës së përcaktuar me Kushtetutë dhe ligje. Ai ka përmendur rregullat që lidhen me procedurat, kriteret dhe afatet.
Në këtë kontekst, Mustafa ka mbështetur qëndrimin e disa deputetëve të LDK-së, duke thënë se ata kanë pasur arsye të mos pajtohen me një marrëveshje që, sipas tij, nuk ka pasur konsensus të mirëfilltë.
“Disa deputet të njohur, me merita për LDK -në dhe zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, me të drejtë nuk u pajtuan me marrëveshjen për konsesus pa konsesus; për kritere pa kritere.”, është shprehur Mustafa.
Ai ka kritikuar gjithashtu tendencën për ta bërë LDK-në përgjegjëse për zhvillimet politike, duke e lidhur këtë me veprimet e Vetëvendosjes.
“Për tendencën që të mbahet përgjegjëse LDK, për lojërat dhe talljet e VV-së. Së fundmi, “ konsesusi” nuk e zëvendëson Kushtetutën.”, ka deklaruar ai.
Mustafa konsideron se qëndrimi i deputetëve që kanë kundërshtuar marrëveshjen është në funksion të respektimit të parimeve institucionale dhe demokratike.
“Qëndrimet e tyre parimore jo vetëm që i shërbejnë LDK-së por edhe vendit që të kthehet në proces të drejtë.”, ka thënë ai.
Në fund, ish-kreu i LDK-së ka propozuar edhe një veprim institucional nga opozita. Ai vlerëson se, në rrethanat aktuale, çështja duhet të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
“Në këtë situatë konsideroj se ka arsye që opozita ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për të parandaluar çdo sjellje dhe veprim që e cënon rendin kushtetues dhe demokracinë parlamentare. Për të gjetë zgjidhjen më të mirë për vendin.”, ka përfunduar Mustafa.