Kryetarët e komunave në protestë kundër Qeverisë Kurti – kërkojnë respektimin e kompetencave dhe zhbllokimin e financave

Asociacioni i Komunave të Kosovës, së bashku me një numër të madh të kryetarëve të komunave, do të protestojë sot para objektit të Qeverisë në Prishtinë, duke filluar nga ora 11:00, me kërkesë të qartë, respektimin e kompetencave të pushtetit lokal dhe zhbllokimin e çështjeve financiare. Protesta vjen në kohën kur përplasjet mes pushtetit lokal…

Lajme

01/09/2026 10:49

Asociacioni i Komunave të Kosovës, së bashku me një numër të madh të kryetarëve të komunave, do të protestojë sot para objektit të Qeverisë në Prishtinë, duke filluar nga ora 11:00, me kërkesë të qartë, respektimin e kompetencave të pushtetit lokal dhe zhbllokimin e çështjeve financiare.

Protesta vjen në kohën kur përplasjet mes pushtetit lokal dhe Qeverisë Kurti janë thelluar, me kryetarët e komunave që akuzojnë nivelin qendror për ndërhyrje në kompetencat komunale, presion financiar dhe centralizim të vendimmarrjes.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e ka akuzuar Qeverinë Kurti se po i bllokon komunat dhe po i ndëshkon qytetarët për shkak të orientimit të tyre politik në zgjedhjet lokale.

Rama ka thënë se komunave u janë marrë ndërmjet 320 dhe 324 milionë euro dhe se një pjesë e fondeve të tyre janë prekur përmes procedurave përmbarimore.

Ai theksoi se këto mjete nuk janë para të pushtetit qendror, por fonde që duhet të përdoren për qytetarët, për shkolla, rrugë, çerdhe, hapësira rekreative, shërbime shëndetësore dhe projekte të tjera lokale.

“Qeveria, qëllimshëm, po ua merr këto fonde komunave dhe po i sjell ato pranë kolapsit të plotë”, ka deklaruar Rama.

Rama gjithashtu ka ngritu një shqetësim, duke e lidhur këtë qasje me një përpjekje për centralizimin e pushtetit, gjë që do ishte shumë e rrëikshme për funksionimin e demokracisë dhe qonë drejt dikraturës.

“Çfarë ndodh nëse centralizohet e gjithë Kosova dhe me gjithçka merret vetëm një njeri? Ky sistem njihet. është sistem komunist dhe diktatorial”, ka thënë Rama.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryetari i Aleancës dhe i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke e cilësuar atë si përballje me, siç ka thënë, cenimin e kompetencave dhe të drejtave ligjore të pushtetit lokal.

Gjini ka thënë se komunat janë “adresa e parë e qytetarëve” dhe ka akuzuar nivelin qendror për ndërhyrje të jashtëligjshme dhe me motive politike në kompetencat komunale.

Ai ka përmendur shkurtimet buxhetore, mungesën e planifikimeve financiare për mbi 3 mijë e 100 mësimdhënës, moskompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, centralizimin e inspektorateve dhe punësimit në shërbimin civil, si dhe kufizimet ndaj pronave komunale.

Gjithashtu ka folur edhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ai ka theksuar se protesta do të jetë paqësore, jopartiake dhe me karakter institucional.

Sipas tij, komunat nuk po kërkojnë privilegje, por zbatimin e ligjeve dhe respektimin e kompetencave që u takojnë.

“Komunat nuk janë duke kërkuar privilegje. Komunat, edhe nga motoja që po e shihni, po kërkojnë atë që u takon qytetarëve të Republikës, që përfaqësohen përmes kryetarëve të komunave në nivel komunal. Pra, kërkojmë që të zbatohen ligjet, kërkojmë që të mos ndërhyhet në kompetencat e kryetarëve, respektivisht të komunave të Republikës së Kosovës, si dhe të kenë trajtim të drejtë dhe institucional”, ka thënë Aliu.

Ndërkaq, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka bërë të ditur se protesta synon mbrojtjen e buxheteve, pronës dhe kompetencave komunale, kompensimin e obligimeve që burojnë nga kontratat kolektive dhe kundërshtimin e ndërhyrjeve të nivelit qendror në autonominë lokale.

Përmes protestës së sotme, kryetarët e komunave pritet t’i kërkojnë Qeverisë respektimin e kompetencave të pushtetit lokal dhe zhbllokimin e çështjeve financiare që po i vështirësojnë funksionimin e komunave dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.