Abdixhiku: Bekim Sejdiu u propozua nga të dyja palët në mënyrë të pavarur, ai është zgjidhje e përgjegjshme dhe dinjitoze për President
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shkruar pasi kanë arritur marrëveshje me VV-në për çështjen e Presidentit. Ai ka thënë se sot po i japin Republikës një zgjidhje të mbarë, të përgjegjshme dhe dinjitoze duke propozuar Bekim Sejdiun kandidat për President të Republikës së Kosovës. Këtë, Abdixhiku e ka parë si lajm të mirë për…
Lajme
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shkruar pasi kanë arritur marrëveshje me VV-në për çështjen e Presidentit.
Ai ka thënë se sot po i japin Republikës një zgjidhje të mbarë, të përgjegjshme dhe dinjitoze duke propozuar Bekim Sejdiun kandidat për President të Republikës së Kosovës.
Këtë, Abdixhiku e ka parë si lajm të mirë për Kosovën.
“Vendi ynë ka kaluar muaj të tërë në pasiguri politike dhe institucionale. Institucionet kanë mbetur të bllokuara, kohë e çmuar është humbur gjersa qytetarët, me të drejtë, kanë pritur nga ne që ta vendosim interesin e shtetit mbi llogaritë partiake. Pikërisht këtë kemi bërë. Emri i profesor Sejdiut u propozua nga të dyja palët, në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Kur interesi i Republikës vendoset mbi interesin partiak, mund të gjenden njerëz dhe zgjidhje që bashkojnë. Në këtë pikë dua t’i falënderojë të dy ekipet diskutuese për mbështetjen në këtë proces;, për përpjekjet konstruktive në një proces të vështirë dhe kompleks”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se Sejdiu është jurist i shquar, diplomat me përvojë të jashtëzakonshme në SHBA e Turqi që nga qeverisjet e para të LDK-së; ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, dhe njohës i thellë i shtetit dhe i së drejtës.
“Bekim Sejdiu e do Republikën, beson në Kushtetutën e saj dhe në orientimin tonë të palëkundur euroatlantik; në miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtetar në bindje, me rrënjë në familje me ideale të larta kombëtare; mbi të gjitha, njeri me integritet, maturi dhe pavarësi – nga secila palë – virtyte që i duhen institucionit më të lartë përfaqësues të vendit. Prej tij presim të jetë President i Republikës dhe i të gjithë qytetarëve, jo përfaqësues i dy partive apo i një shumice të përkohshme. Presim ta mbrojë rendin kushtetues, ta ruajë unitetin e vendit dhe të veprojë me pavarësi, urtësi dhe përgjegjësi në çdo rrethanë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se nga Sejdiu presin që Kosovën ta përfaqësojë me dinjitet para aleatëve, të mbrojë pa asnjë lëkundje orientimin euroatlantik të shtetit; të jetë zë i arsyes në kohë përplasjesh dhe faktor bashkues kur dallimet politike e shoqërore bëhen të mëdha.
“LDK-ja do ta mbështesë këtë marrëveshje me bindjen se shteti është më i rëndësishëm se çdo interes partiak. Këtë e kemi besuar gjithmonë. Këtë po e dëshmojmë edhe sot. Sot, përgjigja jonë ndaj jostabilitetit, kaosit e dyshimeve, është një Republikë me President dinjitoz; e me një LDK, që qëndron në origjinë – rugoviste e institucionaliste. Ajo jep individë me integritet; edhe kur nuk merr asgje në kthim për veten. Sepse e don shtetin më shumë se sa veten. Zoti e bekoftë Kosovën!”, ka shtuar ndër të tjera Abdixhiku. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: