Guerot: Kosovës i duhen institucione funksionale për të avancuar drejt BE-së

Ambasadori në largim i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka folur për zhvillimet politike dhe funksionimin e institucioneve të vendit, në përfundim të mandatit të tij diplomatik. Në një intervistë për “Info Magazine” në Klan Kosova, Guerot ka thënë se gjatë katër viteve të qëndrimit të tij në Kosovë është përmbajtur nga komentimi i çështjeve…

Lajme

29/08/2026 20:13

Ambasadori në largim i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka folur për zhvillimet politike dhe funksionimin e institucioneve të vendit, në përfundim të mandatit të tij diplomatik.

Në një intervistë për “Info Magazine” në Klan Kosova, Guerot ka thënë se gjatë katër viteve të qëndrimit të tij në Kosovë është përmbajtur nga komentimi i çështjeve të brendshme politike dhe se të njëjtin qëndrim synon ta ruajë edhe në ditët e fundit të mandatit.

Megjithatë, diplomati francez ka deklaruar rëndësinë që Kosova të ketë institucione funksionale dhe partnerë institucionalë, veçanërisht në kuadër të synimeve për integrim në Bashkimin Evropian.

“Unë s’kam bërë komente për politikën e brendshme në katër vitet e fundit dhe nuk do ta bëj as në orët e fundit të mandatit këtu. Për Kosovën që të lëvizë përpara, në veçanti drejt BE-së, ne duhet të kemi partnerë në institucione. Na duhet presidenti, na duhet Kuvendi”, ka deklaruar Guerot.

Diplomati francez tha se situata aktuale institucionale po e ngadalëson Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së.

“Nuk e fajësoj asnjë parti, por si një diplomat i huaj po e them atë që është e qartë: bllokada e dy viteve të fundit nuk është e dobishme që Kosova të lëvizë drejt BE-së”, deklaroi Guerot.