Hoti: Pas pak dite 120 deputetë do të marrin rrogat pa punuar asgjë – Bllokimi i institucioneve ka një adresë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Kurti

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti me anë të një postimi ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin për bllokim të institucioneve. Ai në postimin e bërë tha se pas pak ditësh, 120 deputetët do të marrin rrogat për muajin gusht, përkundër që s’kanë punuar asgjë, transmeton lajmi.net. “Për disa ditë përmbyllet muaji gusht.…

Lajme

26/08/2026 11:29

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti me anë të një postimi ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin për bllokim të institucioneve.

Ai në postimin e bërë tha se pas pak ditësh, 120 deputetët do të marrin rrogat për muajin gusht, përkundër që s’kanë punuar asgjë, transmeton lajmi.net.

“Për disa ditë përmbyllet muaji gusht. 120 deputetët e betuar të Kuvendit të Kosovës i pritet t’i marrin rrogat e tyre pa punuar absolutisht asgjë.”, tha Hoti në dër të tjera në postimin e tij.

Postimi i plotë:

Për disa ditë përmbyllet muaji gusht. 120 deputetët e betuar të Kuvendit të Kosovës i pritet t’i marrin rrogat e tyre pa punuar absolutisht asgjë.
Rezultati i zgjedhjeve të qershorit është i qartë: partia e parë, së bashku me një pjesë të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, e ka mundësinë ta konstituojë Kuvendin dhe ta formojë Qeverinë.
Pas këtyre veprimeve, do të vazhdonin negociatat mes partive politike për zgjedhjen e Presidentit, brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh.
Në ndërkohë, javët e gushtit dhe muaji shtator do të shfrytëzoheshin për punë konkrete dhe urgjente:
* rishikimin e buxhetit të këtij viti, i cili është dëmtuar dhe është bërë katrahurë me vendime arbitrare të Qeverisë në detyrë;
* ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në mënyrë që të mos humben fondet, në veçanti fondet e BE-së në kuadër të planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor;
* mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë nga opozita, në veçanti shqyrtimi urgjent i raporteve të Auditorit të Përgjithshëm, të cilat raporte nuk janë shqyrtuar as për vitin 2024.
Bllokimi i funksionimit të institucioneve ka një adresë: Lëvizja Vetëvendosje dhe Kurti dhe të gjithë ata, që në çfarëdo forme, po e ndihmojnë këtë bllokim të funksionimit të dy institucioneve të larta të shtetit./lajmi.net/