OVL-UÇK paralajmëron ofensivë diplomatike kundër Gjykatës Speciale
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka njoftuar se do ta fokusojë veprimtarinë e saj në rrafshin diplomatik dhe institucional në lidhje me Gjykatën Speciale, duke bërë të ditur se do të marrë pjesë edhe në aktivitetet e tjera që do të organizohen deri më 16 shtator. Në një njoftim…
Lajme
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka njoftuar se do ta fokusojë veprimtarinë e saj në rrafshin diplomatik dhe institucional në lidhje me Gjykatën Speciale, duke bërë të ditur se do të marrë pjesë edhe në aktivitetet e tjera që do të organizohen deri më 16 shtator.
Në një njoftim për opinionin publik, OVL-UÇK ka bërë të ditur se gjatë periudhës së fundit ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh kundër, siç i ka cilësuar, padrejtësive që po zhvillohen në Gjykatën Speciale. Sipas organizatës, janë dërguar rreth 300 letra te personalitete ndërkombëtare dhe vendore, përfshirë 285 letra drejtuar anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
OVL-UÇK ka deklaruar gjithashtu se ka zhvilluar takime me shumicën e ambasadorëve të vendeve mike të akredituar në Kosovë, si dhe me kryetarët e partive politike, me përjashtim të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje. Organizata përmend edhe takime në Parlamentin e Zvicrës, Parlamentin Evropian dhe Vatikan, si dhe takimin me kryetaren e Veteranëve të SHBA-së, Carol Whitmore.
Në kuadër të aktiviteteve të saj, OVL-UÇK ka përmendur edhe një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime, të dorëzuar në Gjykatën Speciale më 6 maj 2026, si dhe protesta e aksione simbolike në Kosovë dhe jashtë saj. Organizata ka thënë se do të mbështesë edhe aktivitetet që do të zhvillohen në ditët në vijim, përfshirë protestën e paralajmëruar për 12 shtator.
Sipas OVL-UÇK-së, vendimi për fokusimin në diplomaci është marrë për shkak të bindjes së saj se Gjykata Speciale është “gjykatë politike” dhe se proceset e saj vazhdojnë të jenë të ndikuara politikisht. Organizata ka shprehur shqetësimin se mund të merret një vendim me karakter politik dhe për këtë arsye ka vendosur që veprimtarinë ta përqendrojë në rrafshin diplomatik dhe institucional.
Në të njëjtën mbledhje, Kryesia e OVL-UÇK-së ka marrë vendim për përjashtimin e anëtarit Skënder Llugiqi nga organizata. Sipas njoftimit, vendimi është marrë për shkak të deklaratave të tij publike kundër gjeneralit Ramush Haradinaj, të cilat Kryesia i ka vlerësuar si shkelje të Statutit të OVL-UÇK-së.
Njoftimi i plotë: