Mbi 27 tonë qumësht me aflatoksinë nga Kosova asgjësohen në Maqedoni

Shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Maqedonisë së Veriut kanë ndaluar javën e kaluar importin nga Kosova të dy dërgesave me qumësht UHT, me peshë totale prej 27 mijë e 520 kilogramësh, për shkak të pranisë së aflatoksinës mbi kufijtë e lejuar. Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Maqedonisë së Veriut,…

Lajme

25/08/2026 16:17

Shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Maqedonisë së Veriut kanë ndaluar javën e kaluar importin nga Kosova të dy dërgesave me qumësht UHT, me peshë totale prej 27 mijë e 520 kilogramësh, për shkak të pranisë së aflatoksinës mbi kufijtë e lejuar.

Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Maqedonisë së Veriut, qumështi ishte destinuar për shitje në një zinxhir marketesh në Maqedoninë e Veriut. Pas konstatimit të mospërputhjes me standardet e sigurisë ushqimore, sasia e qumështit është asgjësuar nën mbikëqyrjen e veterinerit zyrtar në deponinë “Drisla”.

Mostrat për analiza laboratorike janë marrë në kuadër të Programit të Monitorimit, përmes të cilit kontrollohen dërgesat e ushqimit me origjinë shtazore që importohen në vend.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se më 17 korrik ka vendosur masa të veçanta sigurie për importin e qumështit, produkteve të qumështit, si dhe produkteve që përmbajnë qumësht të kondensuar apo qumësht pluhur.

Me këto masa janë forcuar kontrollet zyrtare dhe analizat laboratorike, me qëllim që në tregun e Maqedonisë së Veriut të lejohen vetëm produkte të sigurta dhe cilësore.