Zelensky tha se nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës, Kurti feston atë të Ukrainës: Solidariteti ynë nuk ka qenë kurrë transaksion
Kryeministri në detyrë dhe kreu i LVV’së, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në shënimin e 35 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Ukrainës. Kurti në fjalën e tij se Ukraina tashmë po detyrohet të mbrojë pavarësiën e saj me armë në dorë, për shkak të Rusisë e cila funksionon mbi logjikën e vazhdueshme për…
Lajme
Kryeministri në detyrë dhe kreu i LVV’së, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në shënimin e 35 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Ukrainës.
Kurti në fjalën e tij se Ukraina tashmë po detyrohet të mbrojë pavarësiën e saj me armë në dorë, për shkak të Rusisë e cila funksionon mbi logjikën e vazhdueshme për zgjerim territorial.
Agresionin rus Kurti e quan të pajustifikueshëm.
“Kjo luftë nuk ka asnjë justifikim. Nuk e nisi Ukraina dhe nuk mund ta ndalë Ukraina, duke u tërhequr apo duke u dorëzuar. Rusia e ka sulmuar Ukrainën me qëllimin që ta shuajë si komb dhe si shtet”, ka thënë Kurti.
Kurti ka folur edhe për pozicionin e Kosovës karshi kësaj lufte, duke thënë se Republika e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës përmes ndihmës së koordinuar politike, humanitare, ekonomike dhe të sigurisë, derisa të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme.
“Qëndrimi i Republikës së Kosovës ka qenë i njëjtë që nga dita e parë. E kemi dënuar ashpër agresionin dhe jemi rreshtuar plotësisht me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë. Kemi strehuar gazetarë ukrainas në bashkëpunim me Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave, Federatën Evropiane të Gazetarëve dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës. Instruktorët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë pjesë e Operacionit Interflex për trajnimin e ushtarëve ukrainas, si dhe kemi dërguar ndihmë ushtarake, automjete dhe municion”, ka thënë Kurti.
“Si anëtar i Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ne marrim pjesë aktive së bashku me partnerët tanë në koordinimin e mbështetjes dhe në përgjigjen ndaj nevojave mbrojtëse të Ukrainës. Republika e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës përmes ndihmës së koordinuar politike, humanitare, ekonomike dhe të sigurisë, derisa të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”, ka shtuar tutje.
Kurti ka thënë se këto nuk janë vetëm gjeste simbolike, por janë shprehje konkrete e solidaritetit me popullin ukrainas, në mbrojtje të sovranitetit shtetëror, integritetit territorial, dhe luftës së drejtë çlirimtare dhe antikolonialiste për liri e demokraci.
“Ne e kuptojmë që rreziku nga Rusia nuk ndalet në kufijtë e Ukrainës. Dronët që bien në territorin e vendeve anëtare të NATO-s, sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe fushatat e dezinformimit e prekin tërë kontinentin tone evropian. Sulmet e vazhduara të Serbisë ndaj Kosovës, që kulmuan me agresionin dhe sulmin terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023, tregojnë qartë rrezikun që paraqesin për rajonin tonë shtetet dhe individët e grupet kriminale të lidhura me Federatën Ruse.Është e rëndësishme për mbarë kontinentin dhe globin që Ukraina ta fitojë këtë luftë. Është jetike për brezin tonë dhe brezat e ardhshëm që Ukraina të dalë ngadhënjimtare. Një paqe që e shpërblen agresorin, nuk është paqe e drejtë dhe as paqe e afatgjate, është ftesë për agresionin e radhës”, ka theksuar Kurti.
Në fund të fjalës së tij, Kurti ka folur edhe për deklaratën e bërë nga presidenti Ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd për qëndrimin mosnjohës të Kijevit zyrtar ndaj pavarësisë së Kosovës. Kurti ka thënë se një qëndrim I tillë s’qëndron as para fakteve historike e as para se drejtës ndërkomëbtare, duke thënë se Kosova mirëpret njohjen nga Ukraina e çdo shtet tjetër.
Tutje kreu i LVV’së ka thënë se ndihma dhe përkrahja ndaj Ukrainës s’kanë qenë asnjëherë transaksion dhe se Kosova do të vazhdojë të përkrah sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Ne jemi të vetëdijshëm se Kievi ende nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ky qëndrim u përsërit para dy javësh. Ne besojmë se ai qëndrim nuk qëndron as para fakteve historike, as para të drejtës ndërkombëtare dhe do ta themi këtë sa herë të jetë nevoja, njëjtë siç e mirëpresim njohjen e pavarësisë nga Ukraina dhe çdo shtet tjetër liridashës e paqedashës që ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës. Kosova dhe populli shqiptar qëndrojnë jo vetëm në vendin e tyre, por edhe në të drejtën e tyre historike.Por, solidariteti ynë me Ukrainën nuk ka qenë kurrë transaksion. Kosova e mbështet pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës sot njësoj si dje, sepse jemi solidar me një popull që mbron lirinë e vet dhe të drejtën e vetë për të ekzistuar si shtet.Gëzuar Ditën e Pavarësisë!Slava Ukraini!”, ka përfunduar Kurti.