Dita e Pavarësisë së Ukrainës, Haxhiu: Ne do të qëndrojmë gjithnjë përkrah tyre
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu bashkë me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës kanë pritur në takim gazetarët e Ukrainës që ndodhen në Kosovë që nga ditët e para të luftës. Ajo ka thënë se për ta, Kosova është bërë shtëpi e përkohshme, prej nga kanë vazhduar të…
Lajme
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu bashkë me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës kanë pritur në takim gazetarët e Ukrainës që ndodhen në Kosovë që nga ditët e para të luftës.
Ajo ka thënë se për ta, Kosova është bërë shtëpi e përkohshme, prej nga kanë vazhduar të raportojnë, të shkruajnë, të flasin e të punojnë për vendin e tyre. Sipas saj, prania e tyre sot i jep kësaj dite një domethënie të veçantë.
“Në fjalën time theksova se si qytetarë të Kosovës e dimë mirë çfarë do të thotë të largohesh nga shtëpia pa e ditur kur do të kthehesh. E dimë sa shumë vlen kur të tjerët të qëndrojnë pranë pikërisht atëherë kur ke më së shumti nevojë. Dhe e dimë pse liria, kur vihet në rrezik, mbrohet me gjithçka që kemi. Kosova e ka dëshmuar mbështetjen për Ukrainën përmes veprimeve konkrete, duke iu bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë, duke mbështetur qytetarët dhe gazetarët ukrainas, si dhe duke kontribuar në fushën e mbrojtjes përmes trajnimit të ushtarakëve ukrainas dhe pakove të ndihmës ushtarake”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se historia jonë nuk është historia e Ukrainës, por na ka mësuar ta njohim çmimin njerëzor të luftës.
“Prandaj, kemi qëndruar dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë përkrah Ukrainës, për pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë e saj territoriale, si dhe për të drejtën e popullit ukrainas që vetë të vendosë për të ardhmen e tij. Gëzuar Ditën e Pavarësisë të gjithë ukrainasve! Slava Ukraini!”, ka shtuar Haxhiu. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: