KRU “Gjakova” konfirmon pranimin e procesverbalit për restorantin në Radoniq, aktvendimi pritet të hënën

KRU “Gjakova” ka konfirmuar se ka pranuar procesverbalin e hartuar nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës pas inspektimit të zhvilluar në objektin që ndodhet në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit. Sipas kompanisë, inspektimi është zhvilluar më 21 gusht 2026 në objektin që është në pronësi të KRU “Gjakova” dhe…

Lajme

22/08/2026 21:54

KRU “Gjakova” ka konfirmuar se ka pranuar procesverbalin e hartuar nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës pas inspektimit të zhvilluar në objektin që ndodhet në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit.

Sipas kompanisë, inspektimi është zhvilluar më 21 gusht 2026 në objektin që është në pronësi të KRU “Gjakova” dhe ndodhet në zonën e dytë mbrojtëse, transmeton lajmi.net.

Pas inspektimit, Inspektorati ka përpiluar procesverbalin, të cilin KRU “Gjakova” thotë se e ka pranuar dhe më pas ia ka përcjellë operatorit të restorantit, në përputhje me udhëzimet e inspektorëve. Kompania ka bërë të ditur se operatori ka konfirmuar pranimin e njoftimit.

“Pas përfundimit të inspektimit është hartuar Procesverbali mbi inspektimin, të cilin e kemi pranuar dhe e kemi dërguar te Operatori, sipas sugjerimeve të Inspektoratit të Mjedisit. Gjithashtu, nga Operatori është konfirmuar pranimi i njoftimit”, thuhet në njoftimin e KRU “Gjakova”.

Kompania ka njoftuar se hapi i radhës pritet të jetë nxjerrja e aktvendimit zyrtar nga Inspektorati.

“Sipas njoftimit të Inspektoratit, më datë 24.08.2026 pritet të nxirret dhe t’i dërgohet K.R.U. “Gjakova” Sh.A. aktvendimi përkatës, bazuar në konstatimet e evidentuara gjatë inspektimit”, thuhet në njoftim.

KRU “Gjakova” ka bërë të ditur se pas pranimit të aktvendimit do ta shqyrtojë përmbajtjen e tij dhe efektet juridike, para se të vendosë për hapat e mëtejshëm.

Ky sqarim vjen pas debatit të krijuar ditëve të fundit rreth restorantit dhe hotelit “Liqeni i Dukagjinit”, për të cilin Ministria e Mjedisit kishte njoftuar se Inspektorati i Mjedisit kishte urdhëruar mbylljen e aktivitetit.

Ministria kishte deklaruar se aktiviteti zhvillohej në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit dhe, sipas konstatimeve të saj, ishte në kundërshtim me legjislacionin mjedisor, përfshirë rregullat për zonat sanitare të liqenit.

Ndërkaq, zëvendësministri i MMPH-së, Avni Zogiani, kishte sqaruar se procesverbali i Inspektoratit fillimisht i ishte dorëzuar KRU “Gjakova”, si pronare legjitime e pronës, dhe më pas ishte përcjellë te operatori i restorantit.

KRU “Gjakova” ka kërkuar që deri në nxjerrjen dhe shqyrtimin e aktvendimit zyrtar të shmangen keqinformimet lidhur me rastin.

“Ky njoftim ka karakter informues dhe lusim që të mos ketë keqinformim për këtë rast”, thuhet në fund të komunikatës së kompanisë./lajmi.net/