Prodhuesit vendorë i bashkohen aksionit të PDK-së: Z. Kurti, konstituojeni Kuvendin, nëse kjo gjendje vazhdon, për shumë prodhues vendorë falimentimi po bëhet rrezik real

Prodhues të ndryshëm vendorë i janë bashkuar sot aksionit të Grupit Parlamentar të PDK-së para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve. Ata thonë se mungesa e funksionimit të institucioneve po i vështirëson edhe më shumë problemet e fermerëve, bizneseve dhe prodhuesve, të cilët përballen me kosto të…

Lajme

19/08/2026 08:33

Prodhues të ndryshëm vendorë i janë bashkuar sot aksionit të Grupit Parlamentar të PDK-së para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve.

Ata thonë se mungesa e funksionimit të institucioneve po i vështirëson edhe më shumë problemet e fermerëve, bizneseve dhe prodhuesve, të cilët përballen me kosto të larta, pasiguri në treg dhe konkurrencë nga produktet e importuara, transmeton lajmi.net.

Abedin Ramadani, prodhues i drithërave dhe në sektorin e qumështit, tha se përveç sfidave ekonomike, prodhuesit po përballen edhe me pasojat e krizës institucionale.

“Sot, përveç këtyre problemeve, kemi edhe një problem politik që po na dëmton shumë: mbylljen e Kuvendit. Kur Kuvendi nuk funksionon dhe vendi mbahet në bllokadë, askush nuk merret seriozisht me hallet tona. Nuk ka debat për subvencionet, për tregun, për mbrojtjen e prodhimit vendor apo për politikat që na duhen për të mbijetuar”, deklaroi Ramadani.

Ramadani kritikoi gjithashtu deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë në detyrë ndaj prodhuesve, duke vlerësuar se ato ndikojnë në besimin e konsumatorëve dhe në të gjithë zinxhirin e prodhimit.

“Kur humbet besimi te prodhuesi vendor, dëmi nuk i bëhet vetëm një kompanie. Dëmtohet fermeri, punëtori, familja e tij dhe krejt zinxhiri i prodhimit në vend. Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë që shteti të jetë partner i prodhuesit të vet, jo pengesë”, tha ai.

Ai i bëri thirrje Albin Kurtit që të mundësojë konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se deputetët duhet të kenë mundësi të trajtojnë problemet me të cilat përballen qytetarët dhe ekonomia.

“Z. Kurti, konstituojeni Kuvendin. Lejojini deputetët të hyjnë në sallë dhe të flasin për problemet reale të qytetarëve, fermerëve, prodhuesve dhe bizneseve. Situata është e jashtëzakonshme dhe, nëse kjo gjendje vazhdon, për shumë prodhues vendorë falimentimi po bëhet rrezik real”, deklaroi ai.

Sipas tij, mbyllja e një ferme apo biznesi prodhues mund të ketë pasoja të pakthyeshme.

“Kur një fermë mbyllet, ajo nuk hapet përsëri me një vendim të Qeverisë. Ajo mbyllet përgjithmonë. Ne duam të punojmë, të prodhojmë dhe të investojmë këtu. Por shteti duhet të na japë arsye për të vazhduar, jo arsye për të hequr dorë”, përfundoi Ramadani.

Protesta e PDK-së para Qeverisë po vazhdon me kërkesën për konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve, ndërsa prodhuesit vendorë paralajmërojnë se zgjatja e krizës institucionale po i ekspozon ata ndaj vështirësive edhe më të mëdha ekonomike./lajmi.net/