BE tha se janë plotësuar kushtet për hapjen e urës së Ibrit, Petkoviq i shkrun Sorensenit, ia shpreh ‘‘shqetësimin’’ e Serbisë
Petar Petkoviq, i ka thënë sot Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensenit, se Beogradi e ka pritur me shqetësim të madh deklaratën e fundit të një zëdhënësi të BE-së, i cili, lidhur me mundësinë e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, ka deklaruar se sipas vlerësimit të BE-së…
Lajme
Petar Petkoviq, i ka thënë sot Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensenit, se Beogradi e ka pritur me shqetësim të madh deklaratën e fundit të një zëdhënësi të BE-së, i cili, lidhur me mundësinë e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, ka deklaruar se sipas vlerësimit të BE-së janë përmbushur kushtet për hapjen e saj.
Petkoviqi ka theksuar se një vlerësim i tillë është veçanërisht shqetësues, pasi, sipas tij, nuk pasqyron as situatën reale në terren dhe as faktin se parakushtet kryesore, të dakorduara më herët në kuadër të dialogut, ende nuk janë përmbushur.
Ai ka theksuar se, sipas Marrëveshjes për Urën të 25 gushtit 2015, çështjet e lëvizjes së lirë, punimeve infrastrukturore dhe hapjes së urës janë shqyrtuar së bashku me çështjet e sigurisë, të cilat kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për qytetarët serbë në zonën përreth urës, në Suhadoll dhe në zona të tjera të ndjeshme.
“Ndërkohë, situata aktuale e sigurisë, veçanërisht në veri të Kosovës, tregon se hapja e urës në këtë moment nuk do të ishte e sigurt dhe do ta rriste më tej ndjenjën e pasigurisë tek qytetarët serbë”, ka theksuar Petkoviqi në letër, të cilën e ka parë Tanjug.
Petkoviqi ka theksuar gjithashtu se BE-ja, si ndërmjetësuese e Dialogut dhe garantuese e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të tij, ka përgjegjësi për ruajtjen e një qasjeje neutrale dhe sigurimin e kushteve në të cilat çështjet e mbetura mund të zgjidhen përmes marrëveshjes ndërmjet palëve.
“Vendimi për hapjen e urës mund të merret vetëm pasi të jenë zbatuar plotësisht obligimet e marra më herët në kuadër të Dialogut dhe të jetë bërë një vlerësim i besueshëm dhe i qëndrueshëm i sigurisë, i cili garanton se një hap i tillë nuk do ta rrezikojë sigurinë e qytetarët serbë, nuk do t’i rrisë tensionet ekzistuese apo të shkaktojë një krizë të re në veri të Kosovës”, i ka thënë Petkoviqi- Sorensenit.
Bashkimi Evropian i ka thënë sot portalit Kosovo Online se të gjitha vendimet lidhur me urën mbi Ibër duhet të marrin parasysh interesat dhe shqetësimet e të gjitha komuniteteve.
“Qëndrimi i BE-së për urën ka qenë gjithmonë i qartë dhe është udhëhequr nga nevoja për të siguruar që ajo t’u shërbejë të gjitha komuniteteve dhe komunave që lidh dhe të kontribuojë në bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira mes tyre. Pas transferimit të qeverisjes lokale në veri, pas zgjedhjeve lokale, duhet të përmirësohet koordinimi efektiv dhe konsultimet kuptimplota ndërmjet komunave përkatëse dhe institucioneve në nivel qendror”, ka thënë një zëdhënës i BE-së.