ASK: Bie qarkullimi në sektorin e shërbimeve
Numri i të punësuarve në sektorin e shërbimeve u rrit për 3,27 për qind në qershor 2026, ndërsa fondi i pagave dhe mëditjeve shënoi ngritje prej 14,83 për qind krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, bën të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës. Megjithatë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), qarkullimi…
Lajme
Numri i të punësuarve në sektorin e shërbimeve u rrit për 3,27 për qind në qershor 2026, ndërsa fondi i pagave dhe mëditjeve shënoi ngritje prej 14,83 për qind krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, bën të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Megjithatë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), qarkullimi në këtë sektor ra për 0,37 për qind, përcjell KosovaPress.
Sipas ASK-së, rritja më e madhe e qarkullimit u regjistrua në veprimtaritë botuese, prodhimin audiovizual, transmetimin, telekomunikimin, programimin kompjuterik dhe shërbimet e informacionit, me 11,37 për qind.
ASK bën të ditur po ashtu se qarkullimi në bare dhe restorante u shtua për 10,79 për qind, në veprimtaritë profesionale, shkencore dhe teknike për 7,28 për qind, ndërsa në hotele për 6,60 për qind.
Në anën tjetër, transporti dhe magazinimi shënuan rënie prej 15,51 për qind, kurse veprimtaritë administrative dhe mbështetëse prej 8,26 për qind.
Sa i përket punësimit, rritja më e lartë u evidentua në bare dhe restorante, me 6,13 për qind. Në veprimtaritë botuese, audiovizuale, telekomunikuese dhe të teknologjisë së informacionit, numri i të punësuarve u shtua për 3,61 për qind.
Ngritje pati edhe në veprimtaritë profesionale, shkencore dhe teknike, me 3,42 për qind; transport dhe magazinim, me 2,48 për qind; hotele, me 0,67 për qind; si dhe në shërbimet administrative e mbështetëse, me 0,49 për qind.
Fondi i pagave dhe mëditjeve u rrit në të gjitha aktivitetet e përfshira në publikimin e ASK-së. Ngritja më e madhe u regjistrua në bare dhe restorante, me 21,33 për qind.
Te veprimtaritë botuese, audiovizuale, telekomunikuese dhe shërbimet e informacionit, fondi u shtua për 14,31 për qind, ndërsa në aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike për 14,30 për qind.
Rritje pati edhe në veprimtaritë administrative dhe mbështetëse, me 13,21 për qind; hotele, me 12,87 për qind; si dhe në transport dhe magazinim, me 11,75 për qind.
