Uran Ismaili, Kurtit: Mos u fshih pas Avni Deharit, eja konstituo Kuvendin
Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, bënë të ditur se Grupi Parlamentar i kësaj partie i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për thirrjen e vazhdimit të seancës më 16 gusht, siç tha ai duke kërkuar rikthimin e rendit kushtetues, raporton KosovaPress. Në një konferencë për media, Ismaili ka kritikuar Vetëvendosjen për…
Lajme
Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, bënë të ditur se Grupi Parlamentar i kësaj partie i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për thirrjen e vazhdimit të seancës më 16 gusht, siç tha ai duke kërkuar rikthimin e rendit kushtetues, raporton KosovaPress.
Në një konferencë për media, Ismaili ka kritikuar Vetëvendosjen për moskonstituimin e Kuvendit, duke thënë se kjo po bëhet për shkak të agjendës personale të kreut të LVV-së, Albin Kurti.
“Një javë jashtë afatit kushtetues, për herë të parë në Kosovë suspendohet Kushtetuta dhe Kuvendi, me vetëdije për agjendën personale të një njeriu. Albin Kurti përmes Avni Deharit, kryesuesit të seancës konstitutive, sipas moshës – jo me ndonjë funksion tjetër – po e mban të suspenduar Kuvendin e Republikës së Kosovës. Moskonstituimi i Kuvendit nuk do të thotë vetëm mohim i ushtrimit të rolit të deputetit, por edhe mohim i zërit të qytetarëve apo kërkesave dhe nevojave të tyre. Ndërkohë që Albin Kurti po merret me kalkulimet e tij, qytetarët po e paguajnë çmimin… Thirre seancën. Mos ik. Mos u fsheh pas Avni Deharit”, tha Ismaili.
Deputeti Ismaili, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur për të martën nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Ismaili e ka cilësuar këtë ftesë si manipulim të radhëss duke thënë se Haxhiu në vend të ftesës për takim do të duhej t’i drejtohej kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, për thirrjen e Kuvendit.
“Kjo është edhe një tentativë manipulimi për afate, Haxhiu më mirë do të ishte t’i kishte shkruar letër Deharit që ta thërrasë seancën. Çfarë logjike ka, si mund të ushtrosh mandate dhe të dërgosh letra, kur është dashtë që letrën e parë t’ia dërgoj Deharit. PDK-ja nuk do të jetë në atë takim, ne do të jemi në Kuvend”, deklaroi ai.
Ismaili ka folur edhe për, siç tha ai, pasojat që po i bartin qytetarët nga mungesa e një Kuvendi funksional, duke përmendur shëndetësinë, energjinë dhe arsimin.
“Kjo nuk është teori apo akuzë partiake, e thjeshtë. Lexuam lajmin për mungesë të barnave të rëndësishme që kërkohen për pacientët me kancer. Mungesa e një Kuvendi funksional i lë qytetarët në mëshirën e këtyre ministrave pa mandat, që abuzojnë me paratë publike, e pasojat janë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Mijëra familje kosovare paguajnë çmime të larta për shërbime shëndetësore, e në ndërkohë pasurojnë individë e kompani të afërta me pushtetin. Kriza e njëjtë është në energji, ku miliona e miliona euro nga xhepi i qytetarëve janë duke shkuar direkt në xhepat e kompanive të afërta me pushtetin. Kriza e njëjtë është në arsim, ku asnjë projekt për përmërisimin e cilësisë së arsimit apo digjitalizim të arsimit nuk është duke u bërë. Kjo tani është Kosova. Kjo është Kosova e krizave shumëvjeçare të Albin Kurtit”, deklaroi ai.
Deri tani edhe kreu i Aleancës, Ardian Gjini e ka refuzuar ftesën e U.D. presidentes Albulena Haxhiu për takimin e thirruar për të martën në orën 09:00.
Ndryshe, vazhdimi i seancës konstituive është ndërprerë më 8 gusht me kërkesë të kreut të LVV-së, Albin Kurti dhe pas ekskalimit të situatës në seancë gjatë gjuajtjes me vezë Albin Kurtin nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja mori 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7.