​PDK akuzon pushtetin për “kapje” të Kuvendit: Administrata po nënshtrohet nga diktati politik

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë akuzuar pushtetin se po e merr peng Kuvendin e Kosovës dhe se po tenton të ndikojë edhe në administratën e këtij institucioni. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e ka cilësuar si “skandaloze” një komunikatë të Kuvendit, për të cilën tha se është publikuar lidhur me vizitat e…

Lajme

13/08/2026 10:00

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë akuzuar pushtetin se po e merr peng Kuvendin e Kosovës dhe se po tenton të ndikojë edhe në administratën e këtij institucioni.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e ka cilësuar si “skandaloze” një komunikatë të Kuvendit, për të cilën tha se është publikuar lidhur me vizitat e deputetëve në sallën plenare.

Ajo tha se Kuvendi i Kosovës nuk i përket asnjë partie politike dhe paralajmëroi se bashkë me deputetë të tjerë do të takohet me sekretaren e Kuvendit për të paraqitur ankesë.

“Fatkeqësisht, kuvendi është marrë peng prej një partie politike e cila provon që përmes diktatit të nënshtrojë edhe administratën e kuvendit. Pra komunikata në fjalë thotë, po e citoj, ‘Në ditën e tretë, vizita e sallës plenare është ndërprerë për disa minuta pasi deputetë të PDK-së dhe të AAK-së kishin zënë sallën plenare në një kohë kur nuk ishte thirrur asnjë seancë.’ Dua të ndaj me ju këtë shqetësim sepse ky vend, Kuvendi i Republikës nuk është i një partie politike. Kuvendi i Republikës i takon të gjithë deputetëve të zgjedhur të parlamentit të cilët janë betuar në këtë parlament dhe nuk mundet që një parti politike ta shantazhojë administratën e kuvendit. Prandaj për këtë do të takohemi me sekretaren bashkë me dy kolegët e mi sepse nuk guxon që ky institucion kaq i rëndësishëm të merret peng nga vullneti dhe nënshtrimi që provon ta bëjë një parti politike”, tha Deliu-Kodra.

Sipas saj, administrata e Kuvendit duhet të jetë neutrale dhe t’i trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë deputetët dhe grupet parlamentare.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Artan Behrami, tha se shqetësimi i tyre ka të bëjë me, siç u shpreh ai, “okupimin” edhe të zyrave të administratës së Kuvendit.

“Pra shqetësimi jonë është i thellë dhe ka bazë, sepse tashmë ky pushtet ka arritur që ta okupojë jo vetëm zyrat politike, po fatkeqësisht edhe ato zyra që për detyrë dhe përshkrim pune e kanë me qenë neutrale. Nuk ka këtu deputetë të kategorisë së parë dhe deputetë të kategorisë së dytë. Të gjithë jemi deputetë, të gjithë jemi të barabartë, dhe para zyrës së mediave çdo grup parlamentar është i njëjtë dhe duhet me qenë i njëjtë”, tha Behrami.

Ai akuzoi kryetaren në detyrë të Kuvendit, Albulena Haxhiu, se ka ndikuar në funksionimin e Zyrës për Media të Kuvendit.

“Por ky pushtet nuk ndalet. Çfarë ka bërë zonja Albulena Haxhiu e cila po ashtu e ka uzurpuar këtë zyrën prapanë nesh, e ka marrë një zyrtare nga Ministria e Drejtësisë dhe e ka fut në Kuvendin e Kosovës në zyrën për media. Dhe ajo tashmë funksionon me skriptë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Dejona Mihalit dhe nuk funksionon as me rregullore të Kuvendit, as me ligj e as me kushtetutë”, tha ai.

Behrami tha se, sipas tij, ajo që po ndodh në Kuvend është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të ndryshuar mënyrën e funksionimit të institucioneve.

“Dhe çfarë po ndodh këtu mikro si ngjarje, Albin Kurti po mundohet që ta bëjë edhe makro, edhe nivelin nacional, ku ta suspendojë kushtetutën dhe ta vendosë skriptën e Lëvizjes Vetëvendosje që është jo një republikë çfarë ne e kemi ndërtuar me shumë mund, me shumë sakrificë, me shumë gjak”, tha ai.

Në fund, Behrami tha se së bashku me deputeten Blerta Deliu-Kodra dhe deputetin Altin Krasniqi do t’i drejtohen sekretares së Kuvendit për këtë çështje.

“Kështu që ne po presim bashkë me Blertën edhe Altinin, do të shkojmë te Sekretarja, do të bëjmë ankesë edhe gojarisht, po do të bëjmë ankesë edhe me shkrim dhe nuk do të lejojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës të kapet nga kjo parti që tashmë ka uzurpuar shumicën e institucioneve. Faleminderit shumë.”