Rrustemi i reagon Ramadanit: Aludimet për lidhje familjare me të arrestuarin për kërcënimin ndaj Haradinajt janë të pabazuara
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka reaguar pas arrestimit të Skender Llugiqit, i dyshuar për kërcënimin ndaj Ramush Haradinajt. Rrustemi e ka dënuar gjuhën e përdorur ndaj Haradinajt, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe të dënueshme, pavarësisht se nga kush vjen, raporton lajmi.net Në reagimin e tij, Rrustemi ka mohuar kategorikisht çdo…
Lajme
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka reaguar pas arrestimit të Skender Llugiqit, i dyshuar për kërcënimin ndaj Ramush Haradinajt.
Rrustemi e ka dënuar gjuhën e përdorur ndaj Haradinajt, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe të dënueshme, pavarësisht se nga kush vjen, raporton lajmi.net
Në reagimin e tij, Rrustemi ka mohuar kategorikisht çdo lidhje familjare me Llugiqin, duke i cilësuar aludimet në këtë drejtim si të pabazuara.
Postimi i tij i plotë:
Së pari, gjuha e personit në fjalë ndaj Ramush Haradinajt është gjuhë e papranueshme e kësisoj e dënueshme. Ajo gjuhë nuk mund të justifikohet pavarësisht nga kush vjen. Sfera publike ka nevojë më shumë se kurrë për racionalitet. Dallimet në bindje politike nuk mund të rrëshqasin në gjuhë kërcënuese e fyese si kjo ndaj Ramush Haradinajt e ndaj askujt tjetër.
Së dyti, aludimet për lidhje familjare me të arrestuarin janë krejtësisht të pabazuara. Personin në fjalë me pa nuk do ta njihja, por si emër kam dëgjuar. Kam dëgjuar vitet e fundit e gjatë fushatave, si ish ushtar i UÇK-së që jeton mbi 25 vite në Obiliq. As nuk e kam pa e as nuk e kam ditur që ndodhet në Kuvend dhe në cilën kohë sa isha unë aty. Është e vërtetë që unë i kam dajtë nga Dobraja e Madhe, ku Llugiqët janë mbi 300 shtëpi. Si kudo, edhe aty ka lloj lloj personash. Nga persona që nuk kanë mbajtur qëndrimin e drejtë për kombin e vendin, deri te ushtarë të shumtë të UÇK-së, e heroi kombëtar nga kjo familje e nga ky fshat.
Nëna ime ka vetëm dy vllëzër, babai i nënës sime ka qenë djal i vetëm. Asnjëri nga të apostrofuarit nuk janë këta. Prandaj çfarëdo tendence për të lidhur emrin tim me këta emra, është veç një përpjekje për goditje politike, të cilat nuk e ndikojnë veprimtarinë time politike.
Pres që ta tërheqin menjëherë shpifjen deputeti Burim Ramadani dhe mediat e caktuara, përndryshe për këtë rast do të ushtroj menjëherë padi./Lajmi.net/